Një zjarr i rënë në fshatin Shqiponjë, pjesë e Bashkisë Prrenjas, ka prekur një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore me ah në zonën e quajtur “Lukovë – Guri i Mekut”.
Situata ka vënë në gatishmëri shërbimin zjarrfikës dhe strukturat vendore të emergjencave civile.
Të lidhura
None found
Burime zyrtare nga Bashkia Prrenjas bëjnë të ditur se efektivët e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSh) punuan pa ndërprerje gjatë gjithë ditës së djeshme për të luftuar flakët.
Përpjekjet intensive kanë vazhduar edhe sot, me synim izolimin dhe shuarjen përfundimtare të vatrave që mbeten aktive.
Ndërhyrja po kryhet në kushte të vështira për shkak të terrenit të thepisur malor, i cili ka penguar lëvizjen e mjeteve zjarrfikëse. Për të ndalur avancimin e zjarrit drejt zonave të tjera pyjore, është dashur që forcat të veprojnë në këmbë.
Në përballimin e situatës janë angazhuar bashkërisht ekipet e Bashkisë Prrenjas, Policia e Shtetit, shërbimi pyjor dhe banorët vendas, të cilët kanë ndihmuar efektivët që po operojnë në terren.
Nga zjarri nuk janë shënuar të lënduar dhe as dëmtime në banesa. Pasojat janë kufizuar vetëm në sipërfaqet pyjore me ah, ndërkohë që autoritetet po e mbajnë zonën nën vëzhgim për të parandaluar rindezjen e vatrave.
