Arlind Ahmeti dhe Agron Vllasaliu janë dënuar me nga 17 vjet burgim në rigjykimin e katërt për vrasjen e N.S., e ndodhur në qendër të Prishtinës në nëntor të vitit 2017. Në rigjykimin e tretë, Gjykata Themelore në Prishtinë u kishte shqiptuar atyre dënime me nga 16 vjet burgim.
Të lidhura
None found
Vendimi u bë publik të martën nga trupi gjykues i përbërë nga gjykatësi Ilir Foniqi dhe anëtarët Fatime Dermaku e Ertan Sejfulla, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykatësi Foniqi njoftoi se Ahmeti dhe Vllasaliu u gjetën fajtorë për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje e kryer me dashje eventuale”, për të cilën secili u dënua me 15 vjet burgim. Për veprën “Armëmbajtje pa leje”, atyre iu shqiptuan dënime me nga 2 vjet e gjysmë burgim, ndërsa dënimi unik për secilin u caktua në 17 vjet burgim.
Masa e paraburgimit ndaj dy të akuzuarve është vazhduar.
Në seancën e shpalljes së aktgjykimit morën pjesë avokati Driton Musliu, mbrojtës i Vllasaliut, avokati Asdren Hoxha, mbrojtës i Ahmetit, si dhe e dëmtuara Shemsie Aliu-Sahiti. Dy të akuzuarit e ndoqën shpalljen nga burgu përmes video-lidhjes.
Pala e dëmtuar u udhëzua që kërkesën e saj ta realizojë në kontest të rregullt juridiko-civil.
Palët që nuk pajtohen me aktgjykimin mund të paraqesin ankesë brenda 30 ditësh nga pranimi i vendimit në formë të shkruar.
Historia gjyqësore e çështjes nisi me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të 16 prillit 2019. Pasi e kishte rikualifikuar veprën penale, gjykata e shpalli Arlind Ahmetin fajtor për shtytje në vrasje të rëndë dhe i shqiptoi dënim unik prej 17 vjetësh burgim. Në atë kohë, Agron Vllasaliu ndodhej në arrati.
Në nëntor të vitit 2019, Gjykata e Apelit vendosi që lënda të kthehej për gjykim të ri në gjykatën e shkallës së parë, duke vlerësuar se aktgjykimi i 16 prillit 2019 ishte në kundërshtim me dispozitat ligjore.
Gjykata Themelore në Prishtinë nxori sërish aktgjykim dënues më 13 dhjetor 2022. Agron Vllasaliu dhe Arlind Ahmeti u dënuan atëherë me nga 21 vjet burgim për vrasjen e rëndë në bashkëkryerje të të ndjerit N.S., në vitin 2017 në Prishtinë.
Pas ankesave të përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, avokatit Nexhmedin Sejdiu, mbrojtësve të Arlind Ahmetit, avokatëve Asdren Hoxha dhe Fitim Malokaj, si dhe mbrojtësit të Agron Vllasaliut, avokatit Florent Latifaj, Gjykata e Apelit më 23 mars 2023 e anuloi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Çështja iu kthye sërish gjykatës së shkallës së parë për rigjykim.
Më 11 tetor 2024, Gjykata Themelore ua ricilësoi veprën penale në “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe i dënoi Ahmetin e Vllasaliun me nga 16 vjet burgim. Megjithatë, Gjykata e Apelit e ktheu përsëri rastin në rigjykim.
Në rigjykimin e tretë, më 20 tetor 2025, dy të akuzuarve iu shqiptuan sërish dënime unike me nga 16 vjet burgim. Gjykata Themelore e ricilësoi veprën nga “Vrasje e rëndë” në “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe për këtë vepër i dënoi me nga 12 vjet burgim. Për “Armëmbajtje pa leje”, secili mori dënim prej 4 vjetësh e 6 muajsh burgim.
Edhe ky vendim u anulua nga Gjykata e Apelit më 17 prill 2026. Duke aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Apeli e riktheu çështjen në rigjykim në shkallën e parë.
Në aktakuzën e ngritur më 13 korrik 2021 thuhet se Agron Vllasaliu, më 24 nëntor 2017, në bazë të një marrëveshjeje paraprake me të pandehurin Arlind Ahmeti, e kishte privuar nga jeta N.S. dhe kishte vënë në rrezik jetën e Behar Sahitit, Lumbardh Kukajt, Freskim Farizit, R.K. dhe Mërgim Kqikut.
