Një sulm me armë zjarri në një restorant të rrjetit “In-N-Out Burger” në Twin Falls, në jug të shtetit Idaho në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u mori jetën tre personave dhe la të plagosur shtatë të tjerë, disa prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike.
Të shtënat u regjistruan pasditen e së shtunës në një qendër tregtare mjaft të frekuentuar, në të cilën gjendeshin qindra persona kur ndodhi ngjarja.
Të lidhura
None found
Sipas autoriteteve lokale, efektivët që shkuan në vendngjarje gjetën trupin e personit që dyshohet se kreu sulmin, në një hapësirë pranë restorantit. Nuk është sqaruar ende nëse ai është përfshirë në numrin e viktimave. Zyrtarët njoftuan se disa nga të lënduarit janë në gjendje të rëndë. Emrat dhe moshat e viktimave nuk janë publikuar, pasi po vijon procesi i njoftimit të familjarëve.
Persona që ndodheshin aty përshkruan skena paniku gjatë sulmit. Një dëshmitar 34-vjeçar deklaroi se pa një person me një pushkë të tipit ‘AR’ teksa dilte nga hapësira e shërbimit me makinë. Në atë moment, një burrë tjetër reagoi duke hapur zjarr ndaj tij me pistoletë.
I njëjti dëshmitar tha se një punonjës i restorantit tërhoqi zvarrë jashtë zonës së rrezikshme një kolege që ishte plagosur në gjoks. Të dy qëndruan pranë saj derisa në vend mbërritën ekipet e ndihmës së shpejtë.
Një grua që ishte brenda restorantit me vajzat e saj tregoi se krismat u dëgjuan nga pjesa e kuzhinës. Ajo tha se stafi u bëri thirrje klientëve të shtriheshin në dysheme, përpara se t’i udhëzonte të dilnin me shpejtësi nga ndërtesa.
Hetuesit po mbledhin prova dhe po marrin në pyetje dëshmitarët për të përcaktuar të gjitha rrethanat e sulmit. Deri tani nuk është bërë e ditur nëse personi i armatosur synonte individë të caktuar.
