Napoli dhe zonat përreth janë përfshirë nga lëkundje të forta sizmike gjatë mbrëmjes së sotme.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave paraprake të Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, tërmeti është regjistruar në orën 19:46 dhe ka pasur magnitudë 4.7.
Ndikimi i goditjes është ndier në disa lagje të qytetit, duke bërë që shumë banorë të largohen nga banesat dhe të dalin në rrugë pak para orës 20:00.
Deri tani nuk janë raportuar persona të plagosur apo dëme në ndërtesa. Autoritetet, megjithatë, kanë nisur kontrollet për të vlerësuar gjendjen e strukturave.
Lëkundjet kanë sjellë edhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa pjesë të Napolit, kryesisht në qendrën e qytetit, në lagjen Chiaia dhe në zonën perëndimore.
Ndërkohë, shërbimi hekurudhor në linjat Cumana dhe Circumflegrea është ndalur përkohësisht për kontrolle sigurie. Njoftimi u bë nga EAV, kompania e transportit publik të Rajonit të Kampanias që administron linjat hekurudhore në zonën e Fushave Flegreane.
Lëkundjet ndodhën në një mbrëmje kur në qytet po zhvillohej edhe një festë jozyrtare e tifozëve me rastin e 100-vjetorit të Napolit. Organizatorët deklaruan se në procesionin e tifozëve morën pjesë më shumë se 10 mijë persona.
Edhe pse tërmeti shkaktoi panik te banorët, deri në këto momente nuk ka të dhëna për pasoja serioze.
