Meteorologia Lajda Porja, gjatë një lidhjeje live në Euronews me Alba Xhanin, deklaroi se fundjava do të karakterizohet nga reshje shiu në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa moti pritet të stabilizohet në ditët e para të javës së ardhshme.
Sipas parashikimit, reshjet mund të shoqërohen herë pas here me intensitet të lartë, veçanërisht në Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Elbasan. Temperaturat do të qëndrojnë rreth 25 gradë, ndërsa një tjetër episod me reshje pritet gjatë javës së fundit të tetorit.
Të lidhura
None found
Porja bëri të ditur se reshjet do të nisin fillimisht në veri rreth mesditës, për t’u shtrirë më pas në të gjithë territorin gjatë pjesës së dytë të ditës. Gjatë pasdites së të shtunës, mbrëmjes dhe natës, priten reshje me intensitet kryesisht mesatar, por në zona të caktuara mund të ketë edhe episode intensive, veçanërisht në Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Elbasan.
Gjatë mbrëmjes dhe natës, reshjet do të përqendrohen edhe në jug të vendit, sidomos në qarkun e Vlorës, ku priten rrebeshe. Këto kushte do të vijojnë edhe gjatë natës dhe paradites së të dielës, me mundësi që shiu të shoqërohet herë pas here me shtrëngata.
Përmirësimi i motit do të nisë në pjesën e dytë të së dielës. Reshjet do të zhvendosen drejt zonave malore, ndërsa të hënën dhe të martën do të mbeten të kufizuara në skajin verilindor dhe juglindor të vendit. Nga e mërkura priten disa ditë me diell dhe kushte më të qëndrueshme atmosferike.
“Situata mbetet e paqëndrueshme, ndërsa shirat më problematikë priten sonte, gjatë pasdites, natës dhe paradites së të dielës. Të hënën dhe të martën do të ketë vetëm pak reshje në zonat malore, ndërsa nga e mërkura deri rreth datës 21 do të mbizotërojë moti i qëndrueshëm, me diell dhe pa reshje. Ka sinjale se pas datës 21, gjatë javës së fundit të tetorit, një tjetër sistem vranësirash do të sjellë reshje në territor”, u shpreh Porja.
Sa i përket temperaturave, meteorologia tha se tashmë është koha për të përdorur veshje vjeshte, pas temperaturave relativisht të larta me të cilat nisi tetori.
Mëngjeset do të vijojnë të jenë të buta, me temperatura minimale 10 ose 11 gradë, ndërsa vlerat maksimale pritet të jenë rreth 245 gradë dhe të luhaten afërsisht në këto nivele gjatë javës.
Nuk parashikohet ndonjë ndryshim i fortë termik, pasi temperaturat do të qëndrojnë kryesisht në 24-25 gradë. Në zona të izoluara, veçanërisht në Elbasan dhe Berat, ato mund të arrijnë deri në 26°.






