Gjeneralmajori Ozkan Ulutash, komandant në largim i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, tha në adresimin e tij të fundit para përfundimit të detyrës se situata e sigurisë sot është shumë më e mirë krahasuar me vitin 1999.
Të lidhura
None found
Në qershor të vitit 1999, pra 27 vjet më parë, në Kosovë u vendosën trupat e NATO-s. Në atë kohë, misioni përfshinte rreth 55 mijë ushtarë nga 36 vende.
Sipas Ulutashit, KFOR-i ka ruajtur përkushtimin dhe qëndrueshmërinë gjatë gjithë misionit, duke vepruar në mënyrë të paanshme, transparente dhe të vendosur për të përmbushur detyrat e tij.
“Sot, situata e sigurisë është shumë më e mirë se në vitin 1999. Institucionet e sigurisë në Kosovë janë zhvilluar dhe kanë rritur kapacitetet e tyre. Policia e Kosovës, në bashkëpunim me EULEX-in, kujdeset çdo ditë për sigurinë publike të të gjitha komuniteteve. KFOR-i vijon të jetë reaguesi i tretë i sigurisë, me prani në mbarë Kosovën, duke ofruar siguri dhe qetësi, duke mbrojtur stabilitetin e arritur me vështirësi dhe duke qenë i gatshëm të veprojë në rast të ndonjë rreziku për përkeqësimin e gjendjes së sigurisë”, deklaroi Ulutash.
Ai nënvizoi se KFOR-i do të vazhdojë të sigurojë një mjedis të mbrojtur për të gjithë banorët e Kosovës dhe të garantojë lirinë e lëvizjes. Megjithatë, Ulutash theksoi se siguria e qëndrueshme nuk mund të arrihet përmes rrugës ushtarake, por përmes asaj politike.
“Në këtë kuadër, KFOR-i do të vijojë të kontribuojë edhe në të ardhmen, përfshirë mbështetjen për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ky dialog përbën kornizën për adresimin e çështjeve të pazgjidhura dhe për gjetjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”, u shpreh Ulutash, duke e cilësuar KFOR-in si një histori suksesi.
Gjeneralmajori Ozkan Ulutash do ta dorëzojë detyrën më 14 tetor te pasuesi i tij në krye të misionit KFOR, gjeneralmajori italian Roberto Vergori.







