Një vit nga shpallja e përfundimit të luftës në Gazë nga Donald Trump, pjesa më e madhe e zotimeve të përfshira në marrëveshjen e armëpushimit ende nuk është zbatuar.
Të lidhura
None found
Armëpushimi i 10 tetorit 2025 mundësoi lirimin e 20 pengjeve të fundit të gjalla, të kapur gjatë sulmit të Hamasit ndaj Izraelit. Ndërkohë, prej një viti nuk janë regjistruar sulme me raketa nga Gaza të kryera nga grupi.
Megjithatë, marrëveshja nuk i ka ndalur sulmet izraelite, të cilat, sipas AFP-së, ndodhin pothuajse çdo ditë. Ministria e Shëndetësisë në Gazë bën të ditur se që nga armëpushimi janë vrarë rreth 1 mijë e 450 palestinezë. Edhe pse institucioni drejtohet nga Hamasi, Kombet e Bashkuara i konsiderojnë të besueshme shifrat e publikuara prej tij. Gjatë kësaj periudhe është zgjeruar edhe territori nën kontrollin e Izraelit.
Sipas marrëveshjes, trupat izraelite mund të qëndronin në 53 për qind të Gazës. Të dhënat zyrtare të cituara nga AFP-ja tregojnë se pas një viti kontrolli i tyre shtrihet në rreth 70 për qind të territorit. Gjithashtu, transferimi i administrimit te një komitet teknokratësh nuk është përmbyllur. Hamasi njoftoi në korrik se do të dorëzonte qeverisjen, por vazhdon të mbajë nën kontroll sigurinë.
Hamasi kishte premtuar edhe dorëzimin e armëve, por çarmatimi nuk ka filluar. Izraeli kërkon që procesi të verifikohet dhe, deri atëherë, nuk pranon të nisë tërheqjen e trupave. Edhe rindërtimi është në pritje për shkak të mungesës së financimit. Trump premtoi 10 miliardë dollarë për “Bordin e Paqes”, ndërsa vende të Gjirit njoftuan se do të jepnin fonde të tjera.
AFP-ja raporton se nuk ka të dhëna që paratë e premtuara të kenë mbërritur për rindërtimin e Gazës. Në shtator, bordi paraqiti një plan rimëkëmbjeje me vlerë 2.45 miliardë dollarë, i parashikuar të zbatohej përgjatë gjashtë muajve.






