Kapsula Dragon përfundoi të enjten kthimin në Tokë, duke u ulur në ujërat e Oqeanit Paqësor pranë brigjeve të Kalifornisë. Në bord ndodheshin katër astronautët e misionit Crew-12, të cilët kishin kaluar tetë muaj në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor.
Të lidhura
None found
Procesi i rikthimit u transmetua drejtpërdrejt nga NASA dhe u zhvillua sipas planit. “Jemi shumë të lumtur që u kthyem në planetin Tokë pas një misioni të jashtëzakonshëm”, deklaroi komandantja amerikane Jessica Meir.
Pjesë e ekuipazhit ishin edhe amerikani Jack Hathaway, francezja Sophie Adenot dhe kozmonauti rus Andrei Fedyaev. Pas uljes, kapsula u ngarkua në një anije të posaçme.
Stafi i shpëtimit i ndihmoi astronautët të dilnin me radhë nga kapsula dhe iu nënshtruan kontrolleve të para mjekësore. Më tej, ata do të transportohen me helikopter drejt tokës, përpara se të fluturojnë për në Hjuston, ku ndodhet qendra e NASA-s për operacionet e astronautëve.
Gjatë qëndrimit në stacion, Sophie Adenot u shënua si astronautja e parë franceze që kreu një ecje hapësinore. Ajo realizoi gjithsej tri dalje jashtë stacionit, dy prej tyre në gusht dhe një në shtator.
Ndërkohë, Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor ka pritur tashmë një ekip të ri prej katër personash, i cili pritet të qëndrojë atje për rreth gjashtë muaj. Objekti orbital ka qenë i banuar pa ndërprerje prej një çerek shekulli.
Plani parashikon që stacioni të nxirret nga orbita dhe të përfundojë me një rënie të kontrolluar në oqean rreth vitit 2030. Edhe pse marrëdhëniet janë tensionuar pas pushtimit rus të Ukrainës, bashkëpunimi hapësinor mes Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe partnerëve të tjerë vijon.






