Dialogu mes Maqedonisë dhe Bullgarisë do të vijojë si një proces i natyrshëm, por Qeveria nuk do të pranojë lëshime që prekin interesin kombëtar, historinë apo identitetin e vendit, kanë deklaruar për “Lokalno” nga kabineti i ministrit të Jashtëm, Timço Mucunski.
Të lidhura
None found
Duke iu përgjigjur pyetjes mbi alternativat për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian dhe kuptimin praktik të faktit se Protokolli 2 i Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë, Miqësi dhe Bashkëpunim me Bullgarinë nuk përfshihet në Kornizën Negociuese, Ministria e Punëve të Jashtme nënvizoi qëndrimin e Mucunksit për nevojën e një procesi të qartë, të parashikueshëm dhe të garantuar, të mbështetur te kriteret evropiane.
Nga kabineti i ministrit Mucunski bëjnë të ditur se ai ka sqaruar në konferencën për shtyp se, në aspektin juridik, protokollet nuk përbëjnë pjesë integrale të Kornizës Negociuese. Sipas tij, procesi i pranimit duhet të zhvillohet mbi bazën e kritereve evropiane dhe jo të interpretimeve dypalëshe.
Ministria përcjell gjithashtu se Mucunski ka kërkuar edhe një herë qartësi, parashikueshmëri dhe garanci për mënyrën se si do të zhvillohet procesi i integrimit evropian.
Sipas ministrit të Punëve të Jashtme, mosmarrëveshja lidhet me faktin se Bullgaria i interpreton ndryshe këto çështje dhe i konsideron protokollet e ashtuquajtura si pjesë të pandashme të Kornizës Negociuese.
