Besnik Xhemaili, anëtar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), është zgjedhur në postin e zëvendëskryetarit të këtij institucioni, detyrë të cilën do ta ushtrojë për gjashtë muaj.
Të lidhura
None found
Kryetari Adem Çuçulj bëri të ditur se përzgjedhja u realizua sipas parimit të rotacionit, ndërsa radha u caktua duke u bazuar në renditjen alfabetike të mbiemrave të anëtarëve të KSHPK-së.
Çuçulj sqaroi se mandati i zëvendëskryetares aktuale, Sofija Spasova Medarska, përfundon më 18 gusht, kurse Besnik Xhemaili do ta nisë mandatin e ri më 19 gusht të këtij viti. Propozimi i kryetarit u miratua me vota unanime.
Gjatë seancës së sotme, Çuçulj njoftoi gjithashtu se Komisioni ka evidentuar 30 persona të zgjedhur apo të emëruar, ose të cilëve u ka përfunduar mandati në prill, të cilët nuk e kanë respektuar afatin ligjor për dorëzimin e deklaratës mbi gjendjen pasurore dhe konfliktin e interesit. Sipas tij, ndaj të gjithë këtyre personave do të nisë ndjekje penale dhe do të shqiptohen gjoba.
Në të njëjtën seancë, anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit miratuan 51 vendime për po aq raste, të paraqitura në KSHPK nga ankues të identifikuar ose anonimë./Telegrafi/
