Bavarezët nuk kanë aspak ndërmend të ndahen me dyshen e tyre të sulmit, Luis Diaz dhe Michael Olise, pavarësisht thashethemeve që i lidhin me klube të mëdha.
Jan-Christian Dreesen, drejtori ekzekutiv i kampionëve gjermanë, i ka cilësuar si të pabazuara zërat për një transferim të dyshes, duke këmbëngulur se të dy lojtarët do të vijojnë të veshin fanellën e klubit edhe gjatë edicionit të ardhshëm.
Të lidhura
None found
Olise, i cili bëri një paraqitje mbresëlënëse me Francën në Kupën e Botës, së fundi është përfolur për një kalim te Real Madridi, teksa Diaz raportohet se ka tërhequr një ofertë financiarisht të rëndësishme nga Arabia Saudite.
Megjithatë, Dreesen ka sqaruar se asnjë komunikim formal nuk ka mbërritur në zyrat e klubit. “Të habit ajo që qarkullon kur ti e njeh realitetin. Është kurioze”, u shpreh ai.
Për sa i përket Olises, numri një i klubit bavarez nuk la shteg për dyshime: “Ai me siguri do të jetë pjesë e Bayernit sezonin e ardhshëm. Nuk kam marrë asnjë telefonatë nga Real Madridi, asnjë shkresë, faks apo mesazh elektronik”.
Një qëndrim po aq i vendosur u mbajt edhe për Luis Diazin. “E njëjta gjë vlen dhe këtu: zero telefonata, zero të tjera. Të lëshonim të ikte do të ishte thjesht budallallëk. Ne disponojmë një ekip shumë cilësor, ndaj le t’i lemë të luajnë dhe të realizojnë gola”.
Të dy lojtarët janë të lidhur me kontratë afatgjatë me Bayernin, e cila skadon në vitin 2029, dhe projekti i klubit parashikon që Diaz dhe Olise të mbeten shtylla të rëndësishme të formacionit.
Dreesen trajtoi shkurtimisht edhe çështjen e Harry Kane, duke u shfaqur optimist se sulmuesi dhe kapiteni i Anglisë do të vërë firmën në një marrëveshje të re, teksa kontrata aktuale përfundon në fund të sezonit të ardhshëm.
“Të dyja palët kanë një vullnet të fortë për të ecur përpara. Tani mbetet për t’u parë se si do të harmonizohet ky vullnet”, deklaroi ai.
Kane, i cili festoi 33-vjetorin, pati një sezon fantastik me bavarezët, duke grumbulluar 61 gola dhe 7 pasime vendimtare në 51 sfida në të gjitha kompeticionet.
