Dinamo zbret në fushë të enjten në stadiumin “Elbasan Arena” për ndeshjen e kthimit kundër Aluminij, takim i vlefshëm për raundin e dytë eliminator të Conference League. Pas barazimit 1-1 në transfertën sllovene, fati i kualifikimit do të vendoset në Shqipëri, ku blutë e kryeqytetit synojnë të japin gjithçka për të vijuar rrugëtimin evropian.
Të lidhura
None found
Në një bisedë ekskluzive për “Newsport.al” në prag të kësaj provë vendimtare, kapiteni Bruno Dita ka ndarë mendimet e tij mbi përballjen e parë, angazhimin e grupit për sfidën e së enjtes, lëvizjet në tregun e transferimeve dhe synimet që Dinamo ka për edicionin e ri të kampionatit vendas.
I pyetur nëse skuadra kishte potencial për më tepër në takimin e parë, duke marrë parasysh rastet e krijuara, Dita u shpreh: “Sigurisht që kishte hapësirë për të bërë më shumë, por duke gjykuar nga performanca jonë, kemi besim të plotë se do të jemi ne që do të kalojmë tutje.”
Lidhur me analizën e asaj ndeshjeje dhe pikët e dobëta të evidentuara, kapiteni theksoi: “Gjatë gjithë kohës e kishim lojën nën kontroll, por na duhet një hap shtesë dhe shpresojmë ta konkretizojmë atë në sfidën e kthimit.”
Duke folur për avantazhin e të luajturit në shtëpi dhe strategjinë për të siguruar kualifikimin, ai premtoi: “Do të japim maksimumin, do të zbrazemi plotësisht në fushë për të fituar dhe për të zgjatur eksperiencën tonë evropiane.”
Për mënyrën se si trajneri Ilir Daja, i njohur për sukseset e tij me Skënderbeun dhe Ballkanin, po e përgatit këtë duel, Dita u shpreh shkurt: “Me qetësi dhe në mënyrën e duhur, besoj.”
Sa i përket ndikimit të afrimeve të reja në cilësinë e ekipit, kapiteni vlerësoi: “Kanë rritur ndjeshëm nivelin dhe kanë shtuar konkurrencën brenda grupit.”
Kur biseda kaloi te objektivat e sezonit të ri në Superiore, Dita deklaroi me bindje: “Dinamo, me presidentin Bardhi në krye, hyn çdo vit në garë për titullin kampion dhe unë mendoj se këtë sezon do të jemi protagonistë në luftën për kreun.”
Në fund, si një thirrje për tifozërinë para ndeshjes me Aluminij, ai shtoi mesazhin e tij: “I ftoj të gjithë të vijnë në numër sa më të madh, të na përkrahin dhe në fund të ndeshjes të festojmë bashkë.”
