Gjatë një interviste të fundit televizive, kronisti Ervin Leka ka ndarë informacione shtesë për krimin e rëndë të ndodhur në Vidhisht të Roskovecit, ku bashkëshortët Kosta dhe Belere Plaku humbën jetën në duart e ish-dhëndrit të tyre.
Sipas tij, hetuesit po hetojnë pistën se episodi shpërtheu pas një telefonate nga Refit Buzi, 35 vjeç. Gazetari shtoi se e bija e çiftit ishte prezente në momentin kur prindërit e saj u ekzekutuan me armë zjarri dhe menjëherë më pas u rrëmbye nga ish-partneri.
Të lidhura
None found
“E reja ka parë me sytë e saj se si dy prindërit u vranë nga njeriu me të cilin ajo ishte fejuar”, deklaroi gazetari.
Duke iu referuar bisedave me forcat e policisë së Fierit dhe skuadrën negociatore të RENEA-s, Leka tregoi se vajza kaloi momente traumatike. Dyshimet janë se ajo pësoi dhunë si brenda shtëpisë së prindërve, ashtu edhe gjatë rrugës për në zonën malore, ku u mbajt e bllokuar për gati shtatë orë.
“Ajo paraqiste lëndime në fytyrë dhe në këmbë, por pritet t’i nënshtrohet kontrolleve të mëtejshme mjekësore. Gjatë transportimit ka shfaqur një sjellje tejet të dhunshme dhe agresive, megjithëse insistonte për ta rimarrë atë”, u shpreh Ervin Leka.
Në vijim të dëshmisë së tij, gazetari sqaroi se autori i dyshuar, gjatë bisedimeve me RENEA-n, ngriti edhe pretendime për një borxh monetar, duke deklaruar se i kishte çuar para familjes së vajzës kur punonte në Angli.
“Historia e parave mbetet thjesht një pretekst dhe në asnjë mënyrë nuk justifikon përndjekjen, ushtrimin e dhunës, rrëmbimin dhe aq më keq, vrasjen e prindërve. Në thelb të problemit qëndronte kundërshtimi i babait që në fillimet e lidhjes, për shkak të shenjave të agresivitetit që kishte shfaqur Buzi. Përplasjet me familjen vazhduan sepse ata ishin kategorikisht kundër kësaj marrëdhënieje”, shtoi ai.
Leka nënvizoi gjithashtu se Refit Buzi rezulton një individ i raportuar për sjellje të dhunshme dhe ndaj tij kishte ankesa të mëhershme në komisariat. Struktura hetimore është duke shqyrtuar me kujdes biografinë e tij, veçanërisht vitet e qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, ku dyshohet se mund të jetë përfshirë në aktivitete ilegale.
