Klodian Allajbeu ka reaguar pas disa publikimeve të ditëve të fundit në portale, të cilat përmbajnë pretendime të pavërteta lidhur me personin dhe aktivitetin e tij profesional.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Allajbeu i ka cilësuar pretendimet si të sajuara, duke theksuar se media ka detyrimin jo vetëm të informojë publikun, por edhe të verifikojë faktet dhe të respektojë etikën profesionale.
Të lidhura
None found
“Ditët e fundit janë publikuar në disa portale pretendime të pavërteta që lidhen me personin tim dhe aktivitetin profesional. Dua t’i përgënjeshtroj qartësisht: këto pretendime janë tërësisht të sajuara”, shkruan ai.
Allajbeu shprehet se liria e shprehjes nuk duhet të përdoret si justifikim për publikimin e shpifjeve dhe paralajmëron se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore ndaj autorëve dhe mediave që kanë publikuar pretendimet.
“Liria e shprehjes nuk mund të shndërrohet në liri për të shpifur. Për këtë arsye, kam vendosur të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të kërkuar përgjegjësi ndaj autorëve dhe publikuesve të këtyre shpifjeve”, deklaron Allajbeu.
Sipas tij, ndërmarrja e hapave ligjorë synon të mbrojë dinjitetin personal dhe të familjes së tij, por edhe reputacionin e kolegëve dhe profesionistëve që, siç pretendon ai, janë përmendur padrejtësisht në publikime.
Në përfundim të reagimit, Allajbeu shpreh besimin se institucionet do ta trajtojnë çështjen me seriozitet dhe se e vërteta do të zbardhet.
