Një konflikt i gjatë për shuma të konsiderueshme parash, të ardhura nga veprimtari kriminale në Britaninë e Madhe, dyshohet se çoi në ndarjen e Refit Buzit dhe Rozalinda Plakës, e cila kulmoi të premten me tre viktima.
Sipas të afërmve të Rozalindës, Refit Buzi, i njohur edhe si Nertil Buzi, e kishte kanosur më parë me armë, si dhe ishte arrestuar disa herë, por ishte liruar sërish.
Të lidhura
None found
Ngjarja mori përmasa tragjike një ditë më parë, kur Buzi vrau prindërit e ish-partneres, e mori atë peng dhe, pas tetë orësh negociatash të pasuksesshme me policinë, u vetëvra pa pranuar të dorëzohej.
Në një intervistë për shtypin, prindërit e Refit Buzit akuzuan ashpër familjen Plaka, duke pretenduar se i biri i tyre i kishte dërguar Rozalindës rreth 180 mijë paund gjatë periudhës që jetonte në Mbretërinë e Bashkuar, para të cilat familja e saj nuk pranoi t’i kthente.
Sipas tyre, edhe oferta për të zgjidhur mosmarrëveshjen duke marrë vetëm gjysmën e shumës u refuzua, çka solli tragjedinë me tre të vdekur.
Megjithatë, dëshmia e Rozalinda Plakës, e cila mbijetoi, pritet të ndriçojë rrethanat e kësaj ngjarjeje ku humbën jetën prindërit e saj dhe ish-partneri me të cilin ajo kishte një lidhje 9-vjeçare.
Refit Buzi kishte një të kaluar të lidhur me prodhimin e lëndëve narkotike në Britani. Në vitin 2022, ai u rrëmbye dhe u torturua për 12 ditë radhazi nga shtatë shqiptarë, të cilët i kërkonin familjes së tij 400 mijë paund për lirimin e tij.
Pasi nuk u arrit të sigurohej kjo shifër, vëllai i tij denoncoi rastin, duke vënë në veprim forcat e rendit në Shqipëri dhe Britani. Tetë hetues britanikë lokalizuan vendin e mbajtjes në një ndërtesë në Michingan dhe arrestuan shtatë shtetas shqiptarë, përfshirë një vajzë, të gjithë me precedentë penalë. Pas kësaj ngjarjeje, Buzi u kthye në Shqipëri, ku filluan mosmarrëveshjet me ish-të fejuarën dhe prindërit e saj rreth parave që pretendohet se nuk u kthyen.
