Dhimbja dhe pasiguria vijojnë të mbizotërojnë në familjen e Zylfi Tejecit, veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga rajoni i Hasit, zhdukja e të cilit ka kaluar tashmë një vit e gjysmë pa asnjë përgjigje konkrete.
Të lidhura
None found
I zhdukur që nga 23 janari i vitit paraprak, fati i tij mbetet plotësisht i errët, ndërsa familjarët vazhdojnë të jetojnë në ankth të përhershëm, duke pritur çdo ditë një lajm që do t’u jepte fund dilemave mbi vendndodhjen e tij.
Shqetësimi i thellë i të birit ka dalë së fundmi në pah përmes një mesazhi të ndarë në platformat sociale, ku Ardian Tejeci ka shprehur publikisht vuajtjen dhe frustrimin për heshtjen që rrethon rastin e të atit.
Në reagimin e tij, ai ka rikujtuar kontributin e babait si luftëtar i UÇK-së dhe ka bërë thirrje të hapur për zbardhjen pa vonesë të së vërtetës mbi rrethanat e zhdukjes së tij.
Rreth gjashtë muaj më parë, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, kishte konfirmuar se hetimet për këtë çështje janë ende aktive dhe se institucionet e rendit kanë kryer në vijimësi veprime të ndryshme hetimore për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje.
