Sot, lëvizja qytetare ka shënuar 55 ditë radhazi proteste, duke u bërë një nga manifestimet më të zgjatura në historinë 35-vjeçare të pluralizmit në Shqipëri. Pjesëmarrësit janë mbledhur fillimisht në sheshin qendror “Skënderbej”, nga ku më pas parashikohet të nisen në një marshim drejt godinës së Kryeministrisë. Para selisë së qeverisë, organizatorët do të mbajnë fjalime dhe do të rikonfirmojnë kërkesat drejtuar pushtetit.
Pika qendrore e protestës mbetet largimi i menjëhershëm i kryeministrit Edi Rama, një kërkesë që qytetarët e pranishëm e konsiderojnë të padiskutueshme. Prej 55 netësh, mijëra vetë kanë qëndruar çdo mbrëmje përballë Kryeministrisë dhe më pas kanë marshuar nëpër bulevardet e kryeqytetit.
Të lidhura
None found
Gjatë gjithë këtyre javëve, turma ka shprehur zemërimin e saj përmes një sërë parrullash të fuqishme. Përveç thirrjes kryesore “Rama jep dorëheqjen” dhe premtimit “Nesër më shumë”, janë dëgjuar edhe slogane si “Shqipëria nuk është në shitje”, “Ju erdhi fundi”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Rama në burg, Belinda në burg”, si dhe thirrjet “Arrestoni Ramën, arrestoni Ballukun”, “Rama, SPAK You”, “Revolucion”, “Opozitë e shitur” dhe “Nuk dorëzohemi deri në fund”.
Edhe një natë më parë, një numër i madh qytetarësh ishin mbledhur në të njëjtën pikënisje, sheshin “Skënderbej”, për të vijuar më pas rrugën drejt Kryeministrisë. Si organizatorët, ashtu edhe pjesëmarrësit, kanë paralajmëruar se mobilizimi do të shtrihet edhe në ditët në vijim, duke u zotuar se nuk do të largohen nga sheshi derisa kërkesat e tyre të plotësohen.
