Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, së bashku me Ismet Haxhën, Rrustem Rukollin, Rexhep Xhotën, Fatmir Mjakun, Skender Tahirin, Bajram Dibranin dhe Sheremet Jasharin, janë në pritje të fjalëve përmbyllëse në procesin ku ngarkohen për krim të organizuar dhe kanosje të dëshmitarëve të mbrojtur në kuadër të çështjes “Drenica 1”.
Të lidhura
None found
Seancat gjyqësore po zhvillohen për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës, pjesë e ndarë më herët nga procedura kryesore, duke përfshirë këta tetë të pandehur.
Prokurorja Florije Shamolli vuri në dukje se procesi është zgjatur shumë për shkak të disa gabimeve teknike procedurale, të cilat ngadalësuan punën si të gjykatës ashtu edhe të prokurorisë.
Ajo shtoi se, përballë refuzimit të pandehurve për të pranuar fajësinë, Prokuroria kërkoi shqyrtimin e provave materiale dhe dëgjimin e dëshmitarëve që, sipas saj, konfirmojnë kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohen.
Avokati mbrojtës i Lushtakut, Artan Qerkini, kritikoi Prokurorinë që kërkon t’i japë besë një dëshmitari, deklarata e të cilit ka pësuar disa ndryshime. Ai paralajmëroi se në fjalën e tij përfundimtare do të përqendrohet edhe te çështja e masës së paraburgimit dhe te pretendimet për ndikim mbi dëshmitarët, duke vënë në pikëpyetje mundësinë që një person i izoluar në paraburgim, nën mbikëqyrje të rreptë të EULEX-it, të drejtonte një grup për të ushtruar presion.
Ndërkaq, Lushtaku i quajti të pabazuara provat e prokurores Shamolli dhe u deklarua i pafajshëm, duke thënë se prej 13 vjetësh po përballet me një persekutim pa argumente e pa fakte nga ana e EULEX-it.
Ai solli në vëmendje rastin e tij të mëparshëm për krime lufte, për të cilin u dënua fillimisht me 12 vjet burg dhe kreu 4 vjet para se të shpallej i pafajshëm, dhe e cilësoi aktakuzën aktuale si një barrë të rëndë pa bazë juridike, të trashëguar nga EULEX-i. Sipas Lushtakut, dëshmitarët F dhe C nuk kanë qenë asnjëherë dëshmitarë të drejtpërdrejtë ndaj tij dhe theksoi se disa prej të bashkakuzuarve as nuk i njeh personalisht, duke përmendur se me Sheremetin, megjithëse bashkëvendës, nuk ka ndarë as një kafe.
