Qeveria hungareze, me në krye Péter Magyar, ka vendosur të hetojë dyshimet për shpërdorim të parave publike në rastin e kredisë prej një miliard eurosh, të cilën banka shtetërore “Eximbank” i akordoi Maqedonisë së Veriut.
Të lidhura
None found
Lajmi u bë i ditur dje nga vetë Magyar, sipas raportimeve të shtypit vendas. Ai sqaroi se financimi i marrë nga Shkupi bën pjesë në katër dosjet e lidhura me veprimtarinë e “Eximbank”-ut, për të cilat Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës paraqiti kallëzime penale të enjten.
“Të enjten, Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës depozitoi katër kallëzime për mashtrim të dyshuar, me një vlerë totale prej një mijë miliardë forintash, në katër çështje të veçanta. Të gjitha kanë lidhje me operacionet e ‘Eximbank’-ut”, deklaroi Magyar.
Ai vuri në dukje se huaja u ofrua me kushte tejet lehtësuese, duke përfshirë një normë interesi prej 3,25 për qind.
Sipas llogaritjeve të tij, për shkak të diferencës së interesit, kjo kredi do t’i shkaktojë arkës së shtetit hungarez një kosto prej 90 miliardë forintash, afërsisht 248 milionë euro.
“Kjo përbën një ngarkesë prej 90 miliardë forintash (rreth 248 milionë euro) për buxhetin e Hungarisë, teksa shteti hungarez mori mbi vete një garanci të plotë për kredinë, nën drejtimin e qeverisë së Orbanit”, theksoi Magyar.
Ai shtoi se norma e interesit me të cilën “Eximbanka” shtetërore i dha hua Maqedonisë është dukshëm më e leverdisshme se sa interesat që paguajnë sipërmarrjet hungareze dhe qytetarët e vendit për kreditë e tyre.
