Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) nis sot një aktivitet për mbledhjen e nënshkrimeve të qytetarëve, në kuadër të nismës legjislative qytetare që synon ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Të lidhura
None found
Qytetarët do të mund ta nënshkruajnë peticionin në mbështetje të ndryshimeve të propozuara në Kodin Penal gjatë aktivitetit që do të zhvillohet në Sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.
Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gzim Shala, kishte thënë në një intervistë për EO se nisma është ndërmarrë për shkak të moszbatimit të vazhdueshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe nevojës për ta fuqizuar sundimin e ligjit.
Shala kishte shpjeguar se njoftimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës për inicimin e kësaj nisme përbën hapin e parë të IKD-së. Sipas tij, nisma mbështetet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në Ligjin për Nismat Legjislative, ndërsa arsyet e ngritjes së kësaj çështjeje lidhen me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe inkriminimin e veprimeve të akterëve politikë në pushtet, të cilët përmes veprimeve të tyre cenojnë garën politike.
