Skuadra e Ballkanit është rikthyer me humbje nga udhëtimi në Irlandë, ku u përball me Bohemians në sfidën e parë të raundit të dytë eliminator të Ligës së Konferencës.
Të lidhura
None found
Ndeshja nisi në mënyrë premtuese për kampionët e Kosovës, të cilët kaluan të parët në avantazh, por më pas vendasit arritën të përmbysnin gjithçka duke triumfuar me shifrat 2-1.
Në minutën e 29-të, Toni Domgjoni shndërroi në gol një penallti duke i dhënë epërsi Ballkanit.
Gjatë fraksionit të dytë, ekipi nga Kosova u fokusua kryesisht në mbrojtje, çka i lejoi irlandezët të merrnin kontrollin e lojës dhe të rrisnin trysninë ndaj portës kundërshtare.
Barazimi erdhi në minutën e 76-të, kur James-Taylor, i futur nga stoli, shënoi pas një pasimi të saktë nga Devoy.
Në momentet e fundit të takimit, në minutën e 90-të, James u shndërrua në asistues për Tierney, i cili shfrytëzoi një ngatërresë në zonë për të përmbysur rezultatin.
Tani, Ballkani detyrohet të kërkojë përmbysjen në ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet në Prishtinë, me synimin e vetëm për të siguruar biletën për në fazën tjetër.
