Një mural i dedikuar Ferran Torresit, i krijuar pas suksesit të tij në finalen e Kupës së Botës 2026, u shkatërrua në Barcelonë vetëm pak orë pasi përfundoi.
Të lidhura
None found
Persona të panjohur e mbuluan me bojë të bardhë veprën e artistit urban me emrin “TvBoy” gjatë natës së të martës, duke nxitur një valë diskutimesh në platformat sociale, raportoi e përditshmja spanjolle AS.
Murali, i vendosur në lagjen e njohur Gracia, paraqiste sulmuesin e Barcelonës me fanellën e kombëtares spanjolle teksa puthte trofeun e botërorit, pas fitores së “La Rojas” në finale ndaj Argjentinës.
Megjithatë, vepra nuk u prit pozitivisht nga të gjithë. Që në momentet e para pas publikimit, disa përdorues të rrjeteve sociale shprehën pakënaqësi, duke e cilësuar si të papërshtatshme simbolikën e saj në një zonë ku ndjenjat katalanase janë të forta.
Në mëngjesin e së mërkurës, muri u zbulua i mbuluar me parulla kundër Spanjës dhe thirrje për njohjen e skuadrave katalanase.
Artisti TvBoy reagoi në kanalet e tij sociale, duke theksuar se nuk do ta ndalë aktivitetin krijues dhe se nuk do të dorëzohet përballë kërcënimeve apo presioneve të jashtme.
Ky episod nuk është i izoluar në Barcelonën pas Botërorit. Pak ditë më parë, një tjetër mural kushtuar legjendës Lionel Messi dhe talentit të ri Lamine Yamal, i realizuar nga artisti Axe Colours, pësoi të njëjtin fat, duke u shkatërruar vetëm disa orë pas krijimit.
