Për ta bërë fluturimin sa më të rehatshëm, udhëtarët ndjekin këshilla të ndryshme, nga vendosja e një topi tenisi në bagazhin e dorës, një metodë e provuar nga disa pasagjerë, deri te moskonsumimi i alkoolit në avion.
Të lidhura
None found
Kësaj liste rregullash të pashkruara i është shtuar edhe një rekomandim nga Kris Major, ish-anëtar i ekuipazhit të kabinës në British Airways, ku ka punuar për më shumë se 17 vjet: gjatë fluturimit, mos vishni çorape të zeza.
Kjo këshillë vlen veçanërisht për personat që zgjedhin t’i zbathin këpucët ndërsa udhëtojnë.
Major thotë se, sidomos në fluturimet e natës, çorapet e zeza mund të kthehen jo vetëm në një “bezdi”, por edhe në një “rrezik”, shkruan Metro, transmeton Klankosova.tv.
Ai sqaron se ndriçimi i zbehtë brenda kabinës bën që çorapet me ngjyra të errëta të mos dallohen lehtë mes hijeve. Rreziku shfaqet kur pasagjerët i zgjasin këmbët në korridor, pasi ekuipazhi mund t’i shohë ato vetëm në çastin e fundit.
Në një situatë të tillë, pjesëtarët e ekuipazhit mund të pengohen, të trazojnë qetësinë e kabinës dhe të zgjojnë udhëtarët që po flenë.
Sipas Major, ky paralajmërim nuk lidhet me modën, por me dukshmërinë. Ai thekson se ekuipazhi lëviz me shpejtësi në korridoret e ngushta, shpesh me pije të nxehta në duar dhe mes çantave, bërrylave e pasagjerëve gjysmë të përgjumur. Për këtë arsye, çdo pengesë që nuk dallohet qartë pranë dyshemesë mund të shkaktojë aksident.
Pasojat mund t’i ndiejnë edhe vetë pasagjerët. Kur këmbët nuk janë mjaftueshëm të dukshme, ato mund të goditen nga karroca e ushqimit ose e pijeve gjatë kalimit në korridor.
Për një udhëtim më të sigurt dhe më komod, këshillohet që këmbët të mos shtrihen në korridor.
Në fluturimet e gjata mund të merren në konsideratë edhe çorapet kompresive.
Nëse vendosni t’i hiqni këpucët, është më mirë të zgjidhni çorape me një ngjyrë që bie më shumë në sy sesa e zeza./Klankosova.tv
