Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se një person është ndaluar nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.
Të lidhura
None found
Prishtinë, 21 Korrik 2026 – Arrestimi i një (1) personi është kryer sot pas veprimeve hetimore të zhvilluara nga Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prishtinë. Rasti lidhet me dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar përmes tejkalimit të kompetencave, si dhe për falsifikim të dokumentit zyrtar.
Të dhënat fillestare tregojnë se hetimi përfshin dyshimet për dhënien e lejeve disa Operatorëve Ekonomik për importimin e produkteve biocide dhe pesticide. Përdorimi i këtyre produkteve është i ndaluar në Republikën e Kosovës, bazuar në listën e Agjencisë Evropiane të Kimikateve (ECHA) të Bashkimit Evropian.
Personi i dyshuar, me inicialet N.M, është nën hetim për “Keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”, të parashikuar nga neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), si dhe për “Falsifikimin e dokumentit zyrtar”, sipas nenit 427 të KPRK-së.
Policia e Kosovës e ka realizuar arrestimin, ndërsa Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë deklaroi se, së bashku me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, do të vazhdojë angazhimin kundër kriminalitetit dhe korrupsionit. Po ashtu, bëri të ditur se të gjitha veprimet e nevojshme hetimore do të ndërmerren në pajtim me legjislacionin në fuqi.
