Vushtrria ka hapur zyrtarisht fazën përgatitore për sezonin 2026/27, pas rikthimit të shumëpritur në Superligën e Kosovës. Klubi synon të ndërtojë një skuadër konkurruese për garat në elitën e futbollit kosovar.
Të lidhura
None found
Seanca e parë stërvitore është drejtuar nga kryetrajneri i ri, Besnik Kollari, një prej legjendave të futbollit kosovar.
Kollari dhe pjesëtarët e stafit teknik kanë nisur punën me objektivin që ekipi të arrijë nivelin më të lartë të përgatitjes për sfidat e kampionatit.
Sipas njoftimit të klubit, etapa e parë e përgatitjeve do t’i kushtohet kryesisht përmirësimit të gjendjes fizike të lojtarëve, e cilësuar si themeli i nevojshëm për një sezon të gjatë dhe me konkurrencë.
Në stërvitje janë përfshirë tashmë disa futbollistë të rinj. Drejtuesit e Vushtrrisë kanë konfirmuar gjithashtu se në ditët e ardhshme pritet të mbërrijnë përforcime të tjera cilësore.
Përmes afrimeve të reja, klubi kërkon të shtojë rivalitetin brenda grupit dhe të krijojë një ekip dinjitoz, të aftë për të konkurruar me sukses në Superligë.
Rikthimi në elitë ka sjellë optimizëm te Vushtrria, e cila synon të lërë gjurmë në sezonin e ardhshëm nëpërmjet punës dhe përforcimit të vazhdueshëm të skuadrës.
“Kampionët janë rikthyer. Puna ka nisur. Superliga, po vijmë!”, ishte mesazhi i klubit me rastin e fillimit të fazës përgatitore.
