Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar për kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, dhe gjashtë të pandehur të tjerë në procesin që lidhet me një tender me vlerë rreth 68 milionë lekë, të zhvilluar në periudhën kur ai drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).
Ndërkohë, për të pandehurin Premtim Dauti gjykata vendosi ndarjen e çështjes, e cila do të shqyrtohet me procedurë të zakonshme. Seanca e radhës është caktuar më 14 shtator, kur SPAK do të paraqesë konkluzionet përfundimtare dhe pretencën për të pandehurit. Gjatë seancës, Beci dhe të pandehurit e tjerë kërkuan pushimin e çështjes, duke argumentuar se ndaj tyre duhet të zbatohet ligji për amnistinë.
Të lidhura
None found
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i SPAK bëri me dije se qëndrimi mbi këtë kërkesë do të paraqitet me shkrim në seancën e ardhshme, ndërsa gjykata do të vendosë përfundimisht në fund të procesit. Sipas akuzës, Benet Beci dhe gjashtë ish-vartës të tij dyshohet se kanë shkelur rregullat e prokurimit publik në një tender konsulence të zhvilluar nga KESH në vitin 2019, duke favorizuar një operator ekonomik dhe duke cenuar konkurrencën mes pjesëmarrësve në procedurë. Hetimi nisi pas analizimit të provave të sekuestruara gjatë një tjetër hetimi të SPAK.
