Një konflikt për motive të dobëta në një lokal, ka përfunduar me plagosjen me mjet prerës të një 59-vjeçari. Mirjan Dedja goditi me mjet prerës Roland Beqirajn, ndërsa ky i fundit ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Policia arrestoi autorin e dyshuar menjëherë pas ngjarjes. Në pranga përfundoi edhe i plagosuri, pasi nuk pranoi të tregonte rrethanat e incidentit dhe dyshohet se tentoi ta fshihte atë.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të Policisë, shërbimet e Elbasanit u vunë në lëvizje sapo u informuan se në spitalin rajonal ishte paraqitur për ndihmë mjekësore një 59-vjeçar, i dyshuar se ishte dëmtuar me mjet prerës.
Veprimet e menjëhershme hetimore dhe operacionale çuan në identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit M. A., 43 vjeç, banues në Elbasan.
Hetimet paraprake tregojnë se ngjarja ndodhi në një lokal në lagjen “Luigj Gurakuqi”. Gjatë një konflikti për motive të dobëta, M. A. dyshohet se plagosi me mjet prerës shtetasin R. B., 59 vjeç.
Policia arrestoi në flagrancë edhe R. B. për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ai refuzoi të jepte shpjegime në lidhje me ngjarjen.
Si provë materiale u sekuestrua mjeti prerës, një thikë, që dyshohet se është përdorur gjatë incidentit.
Dosja procedurale i kaloi Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme.
