Maqedonia pritet të ndërtojë një qendër kombëtare të të dhënave, projekt për të cilin po përcaktohen vendndodhja dhe mënyra e financimit. Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, deklaroi për TVM2 se kjo infrastrukturë do të krijojë bazën për renë qeveritare, mbrojtjen kibernetike dhe avancimin e inteligjencës artificiale.
Të lidhura
None found
Ai bëri të ditur se studimi i fizibilitetit tashmë është hartuar, duke nënvizuar se projekti nuk kufizohet te ngritja e një ndërtese për serverë. Sipas Andonovskit, bëhet fjalë për një strukturë strategjike shtetërore, e cila do të mbështesë procesin e digjitalizimit të vendit.
“Rrugët shërbejnë për t’i lidhur qytetet, ndërsa qendra e të dhënave do t’i lidhë institucionet. Në vend që secili institucion të disponojë ambiente të veçanta për serverë, me standarde të ndryshme sigurie, shteti do të ketë një pikë të përbashkët dhe moderne, me mbrojtje të lartë dhe efikasitet energjetik. Prej saj do të sigurohen shërbime digjitale për 20-30 vitet e ardhshme”, deklaroi Andonovski.
