Dy protestuesit Edison Lika dhe Albi Dema u liruan menjëherë sot, pasi Gjykata e Durrësit e shpalli të paligjshëm arrestimin e tyre. Ata ishin prangosur katër ditë më parë, pas hedhjes së vezëve drejt makinës së kryeministrit Edi Rama, teksa ai po udhëtonte për të marrë pjesë në punimet e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.
Gjyqtari Orgent Nazaj vlerësoi se arrestimi në flagrancë i të rinjve ishte i paligjshëm. Lika është 28 vjeç, ndërsa Dema 37. Edhe në kafazin e sigurisë në gjykatë, ata vijuan të thërrisnin: “Areestoni Ramën!”
Të lidhura
None found
Ndërsa në gjykatë zhvillohej seanca për vlefshmërinë e masës së sigurisë, jashtë godinës u mblodhën protestues dhe aktivistë nga Tirana e Durrësi. Ata përsëritën thirrjet që prej afro gjashtë muajsh shoqërojnë protestat e përditshme në kryeqytet.
Pas seancës, aktivisti Edison Lika, tha se kjo ishte hera e tretë që gjykatat i shpallnin të paligjshme arrestimet e protestuesve. Për këtë arsye, sipas tij, Policia e Shtetit nuk duhet të arrestojë më protestues.
Lika dhe Dema u ndaluan të shtunën nga policia e Durrësit, pas incidentit të ndodhur në Manzë. Ata u akuzuan për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.







