Dy persona humbën jetën dhe tetë të tjerë u plagosën si pasojë e një vale të re sulmesh ruse kundër qytetit portual të Odesës, njoftuan autoritetet ukrainase të enjten në mbrëmje.
Të lidhura
None found
Zëvendëskryetari i bashkisë, Oleksandr Filatov, tha se një raketë ka goditur një pallat apartamentesh. Nga sulmi janë dëmtuar gjithashtu një shkollë, automjete dhe objekte të tjera të infrastrukturës civile.
Shërbimet ukrainase të emergjencës raportuan se një prej viktimave ishte një grua që ndodhej në park me fëmijët e saj kur ndodhi sulmi. Fëmijët e saj mbijetuan.
Qyteti i Odesës është goditur me raketa dhe dronë për të pestën ditë me radhë. Një ditë më herët, autoritetet vendore kishin njoftuar për tre të vrarë dhe tre të plagosur nga bombardimet.
Sipas autoriteteve të Ukrainës, ofensiva e vazhdueshme ruse ndaj këtij qyteti portual është një kundërpërgjigje për sulmet ukrainase kundër anijeve tregtare, sidomos në Detin e Azovit.
Financial Times, duke iu referuar të dhënave të kompanisë së sigurisë detare Ambrey, shkroi se goditjet e fundit kanë reduktuar me afro një të tretën eksportet e drithërave nga porti i Odesës. Kjo ka rritur shqetësimet lidhur me pasojat e luftës për tregtinë ndërkombëtare dhe furnizimin botëror me ushqime.
