Për të gjashtën natë me radhë, forcat amerikane kanë kryer sulme ajrore ndaj objektivave në Iran. Teherani e akuzoi Uashingtonin se po godet infrastrukturë civile dhe paralajmëroi kundërpërgjigje ndaj infrastrukturës në të gjithë rajonin e Gjirit Persik.
Ushtria amerikane njoftoi se raundi i fundit i bombardimeve u drejtua kundër objekteve të mbikëqyrjes në bregdet, sistemeve të mbrojtjes ajrore, infrastrukturës ushtarake logjistike dhe kapaciteteve detare të Iranit.
Të lidhura
None found
Mediat shtetërore iraniane, ndërkaq, thanë se sulmet prekën gjithashtu ura, një aeroport, një stacion hekurudhor dhe zona civile. Sipas televizionit shtetëror IRIB, shtatë persona humbën jetën nga bombardimet në zonën e Bandar Hamir. Po ashtu, u goditën një stacion treni në Bandar Abbas dhe aeroporti Iransar.
Një zëdhënës i ushtrisë iraniane deklaroi se “e gjithë infrastruktura në rajon do të jetë objektiv legjitim për Iranin”, në rast se SHBA vijon goditjet ndaj infrastrukturës së Republikës Islamike.
Gjatë natës, forcat e armatosura të Katarit dhe Kuvajtit raportuan sulme ajrore, ndërsa në Bahrein sirenat e alarmit u dëgjuan dy herë. Televizioni shtetëror iranian njoftoi se Irani kishte ndërmarrë sulme me dronë kundër instalimeve ushtarake amerikane në Kuvajt.
Banorët e qytetit Ahvaz raportuan një natë të mbushur me shpërthime të vazhdueshme. “Sulmet janë aq intensive sa po më dridhen duart. Ndjeva sikur do të më shpërthenin daullet e veshit”, u shpreh për AFP një profesor 34-vjeçar.
Goditje ajrore pati edhe në Bushehr, qytet ku ndodhet porti kryesor dhe centrali i vetëm bërthamor funksional i Iranit. Autoritetet lokale thanë se qyteti u sulmua për herë të dytë brenda pak orësh.
Më herët, presidenti amerikan Donald Trump kishte paralajmëruar se urat dhe centralet elektrike iraniane do të ishin objektivat e radhës, nëse Teherani nuk do të rikthehej në tryezën e negociatave.
Tensionet janë përshkallëzuar që pas rifillimit të luftimeve më 7 korrik, pas sulmeve ndaj anijeve tregtare në Gjirin Persik, për të cilat Uashingtoni fajëson Iranin. Konflikti po pengon përpjekjet diplomatike dhe ka shtuar shqetësimet lidhur me sigurinë energjetike në nivel global.
Pakistani u ka kërkuar të dyja palëve t’i japin fund dhunës dhe të nisin sërish negociatat. Irani, nga ana e tij, ka deklaruar se në rrethanat aktuale nuk sheh arsye për të respektuar marrëveshjet e mëparshme.
Shtëpia e Bardhë deklaroi njëkohësisht se presidenti Donald Trump mbetet i gatshëm për diplomaci, por nuk do të pranojë sulme ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Pavarësisht zhvillimeve, nafta Brent vijon të tregtohet rreth 85 dollarë për fuçi. Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, paralajmëroi se siguria energjetike globale do të rrezikohet përsëri nëse nuk arrihet shpejt një marrëveshje për ndërprerjen e armiqësive dhe rikthimin e qarkullimit të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit.
