Aktivisti dhe eksperti i IT-së, Gent Progni, iu drejtua protestuesve të mbledhur përpara Kryeministrisë në ditën e 47-të të revoltës popullore.
Në fjalimin e mbajtur në bulevard, Progni shpjegoi arsyet që e kishin shtyrë t’i bashkohej protestës. Ai përmendi problemet e jetës së përditshme në qytet, si dhe trysninë e fortë që, sipas tij, pushteti ushtron ndaj familjeve të zakonshme dhe punonjësve të administratës.
Të lidhura
None found
Progni deklaroi se revolta e tij buron nga shqetësimet familjare dhe nga pengesat me të cilat përballen qytetarët shqiptarë për shkak të një sistemi të kontrolluar nga nepotizmi dhe interesat politike. Ai denoncoi gjithashtu kërcënimet për largim nga puna ndaj të afërmve të tij, vetëm sepse ka vendosur të ngrejë zërin.
Duke ngritur një sërë pyetjesh që, siç tha, bëhen edhe nga patronazhistët, ai tregoi se proteston për fëmijën e tij, i cili goditet në kokë në një shkollë private dhe nuk dërgohet për trajtim mjekësor. Progni shtoi se proteston edhe për bashkëshorten, punësimi i së cilës do ta detyronte atë t’i nënshtrohej pushtetit dhe të hiqte dorë nga protesta.
Eksperti i IT-së përmendi edhe prindërit e tij, të cilët rrezikojnë të largohen nga puna për shkak të pjesëmarrjes së tij në tubim. Ai tha se proteston edhe për shkollimin e vet, që sipas tij nuk vlerësohet pa iu servilosur kryetarit të partisë së lagjes, si dhe për vjehrrin që e largojnë nga puna.
Në vijim, Progni e zhvendosi vëmendjen te rrëmuja urbane në Tiranë. Me tone ironike, ai kritikoi mosveprimin e institucioneve si AKEP dhe kërkoi kushte më të mira ekonomike si për administratën, ashtu edhe për patronazhistët.
Ai tha se proteston gjithashtu për çështje që mund të duken të vogla, duke përmendur kabllot e shtrira si rrjeta merimangash, ndonëse është viti 2026 dhe AKEP është urdhëruar t’i heqë. Progni foli edhe për automjetet që parkohen mbi trotuare dhe bllokojnë rrugët. Në mbyllje, ai kërkoi paga më të mira për administratën dhe, me ironi, u shpreh se patronazhistët nuk duhet të ushqehen më me sufllaqe, por të kalojnë te mishi.
