Prokuroria e Tiranës, ka vendosur të zgjasë me tre muaj afatet hetimore për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja. Sipas vendimit, shtyrja e hetimeve është bërë pasi nevojiten veprime të tjera hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, avokati i autorit të dyshuar, Elvis Shkambi, ka reaguar duke kundërshtuar vendimin e Këshillit të Qarkut për miratimin e propozimit që gjyqtari i ndjerë të shpallet “Dëshmor i Atdheut”.
Të lidhura
None found
Sipas avokatit, nuk ekziston një bazë ligjore e mjaftueshme për një vendim të tillë, pasi çështja penale nuk ka përfunduar ende me një vendim të formës së prerë që përcakton fajësinë.
Ai argumenton se, në kushtet kur procesi gjyqësor është ende në zhvillim dhe nuk ka një vendim përfundimtar, propozimi për shpalljen e Astrit Kalajës “Dëshmor i Atdheut” nuk mbështetet në kriteret ligjore.
Si ndodhi ngjarja e rëndë?
Ngjarja ndodhi pas përfundimit të një seance gjyqësore për një çështje pronësie në Shkodër, e cila ishte në shqyrtim në Apelin e Tiranës.
Mësohet se gjyqtari Astrit Kalaja, kishte dhënë vendimin kundër palës së përfaqësuar nga Elvis dhe Gjon Shkambi.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Elvis Shkambi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar tre herë në drejtim të gjyqtarit, duke e goditur në gjoks dhe lënë të vdekur në vend.
Gjatë të njëjtës ngjarje, janë plagosur edhe babë e bir, Rakip dhe Ervis Kurtaj, pala tjetër në proces, të cilët ndodhen aktualisht në Spitalin e Traumës dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
