Mediet ndërkombëtare bëjnë të ditur se Zinedine Zidane është gati të ulet në pankinën e Kombëtares franceze.
Të lidhura
None found
Gazetari Nicolo Schira zbulon se ish-mesfushori ikonë do të pasojë Didier Deschamps në krye të “Les Bleus”, teksa të dyja anët po finalizojnë një kontratë që do ta mbante 52-vjeçarin në post deri në Kupën e Botës 2030.
Që prej dorëheqjes nga Real Madridi në vitin 2021, trajneri francez nuk ka marrë asnjë detyrë tjetër. Gjatë gjithë kësaj periudhe, ai është përfolur vazhdimisht si pasardhësi i natyrshëm i Deschamps dhe tani ky parashikim duket se po bëhet realitet.
Fundi i epokës Deschamps erdhi pas dështimit në gjysmëfinalen e Botërorit 2026, aty ku Spanja i mundi francezët me rezultatin 2-0. Tani skuadrës i duhet të përballet me takimin për medaljen e bronztë, duke pritur skuadrën që do të dalë humbëse nga përballja mes Argjentinës dhe Anglisë.
Në rast se zyrtarizohet, ky do të jetë debutimi i Zidanes në drejtimin e një ekipi kombëtar. Kjo sfidë e re vjen pas një epoke të artë në Real Madrid, ku ai ngriti lart tre Champions League radhazi dhe një sërë kupash të tjera madhore.
