Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, ka bërë të ditur se deri tani në zyrat qendrore të partisë nuk është depozituar asnjë nënshkrim për mbledhjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm.
Të lidhura
None found
Ferati theksoi se lajmet që qarkullojnë mbi këtë nismë nuk mbështeten në të dhëna zyrtare dhe i cilësoi thjesht si hamendësime.
“Nuk vura re ndonjë burim të saktë në raportimet e atyre portaleve. Kjo mbetet në sferën e supozimeve. Unë ndodhem në seli dhe nuk ka asgjë, as dorëzim dokumentesh e as njoftim zyrtar”, u shpreh Ferati.
Reagimi i tij pason informacionet se të martën e 14 korrikut pritej të dorëzoheshin firmat për thirrjen e Kuvendit të LDK-së, ku do të kërkohej votëbesimi për kryetarin Lumir Abdixhiku.
Një javë më parë, KosovaPress kishte zbuluar ekskluzivisht se në krye të kësaj lëvizjeje qëndron Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës, i cili po zhvillon takime nëpër degët e LDK-së anembanë vendit për të mbledhur firmat e delegatëve që synojnë rrëzimin e Abdixhikut.
Prapavija e kërkesës për largimin e tij lidhet me zhgënjimin e brendshëm pas performancës së dobët të partisë në zgjedhjet e 7 qershorit.
Fillimisht pati thirrje për dorëheqje nga ana e Abdixhikut, por ai e refuzoi kategorikisht një hap të tillë.
Në ato zgjedhje, LDK-ja arriti të siguronte vetëm 16.69 për qind të votave, çka i dha 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Sipas rregullores së brendshme të LDK-së, firmat e një të tretës së anëtarëve të kuvendit nuk sjellin shkarkimin e menjëhershëm të kryetarit, por thjesht krijojnë mundësinë për të ngritur formalisht çështjen e besimit.
Kuvendi i LDK-së përbëhet statutarisht nga 355 delegatë të dalë nga kuvendet e degëve, duke përfshirë edhe vetë kryetarin aktual, Lumir Abdixhikun.
Kujtojmë se në janar të këtij viti, Abdixhiku i mbijetoi një vote besimi në kuvendin e partisë, pas rezultatit zhgënjyes në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të shkuar.
