Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas lajmeve për ndalimin në pikën kufitare të disa deputetëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, duke e konsideruar këtë veprim të papranueshëm.
Me një deklaratë publike, Bardhi kritikoi mënyrën se si Policia e Shtetit u soll ndaj kreut të Grupit Parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, si edhe ndaj deputetëve Adnan Azizi dhe Hasim Murtezani, por edhe ndaj zëvendëssekretarit të përgjithshëm të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Të lidhura
None found
“Askush nuk ka të drejtë të trajtojë në mënyrë denigruese përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Veprime të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me detyrimet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë për të mbrojtur dhe respektuar shqiptarët kudo që jetojnë”, deklaroi Bardhi.
Sipas tij, ngjarje të kësaj natyre dëmtojnë frymën e bashkëpunimit dhe të respektit që duhet të udhëheqë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Ai i kërkoi Policisë së Shtetit që të japë një shpjegim publik dhe të plotë për rastin, duke nënvizuar se çdo veprim i kryer në shkelje të ligjit duhet të hetohet dhe përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi.
“Shqipëria duhet të jetë gjithmonë një shtet që i mirëpret, i respekton dhe i mbron shqiptarët, jo një shtet ku ata ndihen të fyer apo të penguar. Kjo nuk është vetëm një çështje ligjore, por edhe një detyrim kombëtar e moral”, u shpreh ai.
Në fund, kreu i grupit parlamentar të PD-së theksoi se raste të tilla dëmtojnë imazhin e shtetit shqiptar dhe raportet mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit, duke kërkuar që ato të mos përsëriten më.
