Prokurori publik i Prokurorisë Themelore Publike në Shkup i dorëzoi sot gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup një kërkesë për caktimin e masave paraprake ndaj tre personave të dyshuar se kanë ushtruar dhunë ndaj një fëmije të lindur në vitin 2011, në një park në Maxhari.
Të lidhura
None found
Sipas konstatimeve fillestare, ngjarja ka ndodhur më 22 qershor, kur të dyshuarit kanë marrë pjesë në veprime të dhunshme ndaj të miturit, duke e sulmuar me grushte dhe shqelma, si edhe duke i shkaktuar prerje në trup me thikë.
Nga PTHP bëjnë të ditur se masat e propozuara parashohin ndalim për largim nga vendbanimi ose vendqëndrimi, detyrim për paraqitje periodike te një person zyrtar i caktuar ose para një organi shtetëror kompetent, konfiskim të përkohshëm të dokumentit të udhëtimit apo të një dokumenti tjetër për kalimin e kufirit shtetëror, ndalim për të shkuar në vendin ku ka ndodhur ngjarja penalo-juridike, si dhe ndalim për t’iu afruar apo për të vendosur çfarëdo kontakti me fëmijën e dëmtuar dhe prindërit e tij.
Në të njëjtën kohë, sipas PTHP-së, po vijojnë ekzaminimet mjeko-ligjore të gjurmëve të siguruara, ndërsa po ndërmerren edhe veprime të tjera me qëllim mbledhjen e provave.
