LSDM deklaron se kryeministri Hristijan Mickoski ka bërë të ditur se sot do të ketë rritje të çmimit të karburanteve, por pa prezantuar asnjë hap konkret për t’i mbrojtur qytetarët nga goditja e re e çmimeve.
Të lidhura
None found
Nga kjo parti thonë se Mickoski pranon vetë se ekziston problem, duke përmendur se ka tregje dhe kompani që punojnë me “marzhe më të larta fitimi”, por njëkohësisht ka theksuar se “nuk do t’i zbulojë emrat për momentin”. Sipas LSDM-së, këtu shfaqen dy Mickoski-t: njëri që e pranon problemin dhe tjetri që, siç thonë ata, përpiqet ta largojë vëmendjen me gënjeshtra dhe manipulime. Ata shtojnë se, ndërsa qytetarët përballen me një jetë të çrregullt dhe varfërohen çdo ditë e më shumë, Mickoski nuk ndërmerr asgjë.
Sipas LSDM-së, për këtë arsye çdo deklaratë e tij mbetet në kuadrin e “do ta shohë së shpejti”. Ata vlerësojnë se “së shpejti” nuk ua mbush frigoriferët qytetarëve dhe as nuk ua shlyen faturat. Partia thekson se çdo rritje e çmimit të karburanteve ndikon drejtpërdrejt në shtimin e kostove të transportit, çka më pas reflektohet në çmime më të larta të ushqimeve. Në fund, sipas tyre, barrën e paguajnë sërish qytetarët që nuk arrijnë t’ia dalin deri në fund të muajit.
LSDM thekson se për një familje me katër anëtarë nevojiten pothuajse 70,000 denarë vetëm për të përballuar shpenzimet bazë të jetesës. Sipas tyre, inflacioni po e gërryen fuqinë blerëse, ndërsa me ribalancimin e buxhetit dhe korrigjimin lart të inflacionit në 4.5%, Qeveria ka pranuar se çmimet do të vazhdojnë të rriten. Kjo, sipas LSDM-së, nënkupton ushqim më të shtrenjtë, fatura më të larta dhe një jetë edhe më të kushtueshme e më të vështirë, si dhe vlerë më të ulët të pagave dhe pensioneve. Ata shtojnë se kjo sjell më pak fuqi blerëse dhe akuzojnë se Mickoski nuk dëshiron të dëgjojë as për një pagë minimale prej 600 eurosh, as për masa konkrete. Po ashtu, nga LSDM thonë se ai nuk ka pranuar asnjë prej propozimeve të tyre, as për ngrirjen e marzheve të produkteve bazë ushqimore dhe as për mbështetje ndaj kategorive më të cenueshme të qytetarëve.
