Anthony Albanese, kryeministri i Australisë, ka dalë me një ndjesë publike pas komenteve që bëri për këngëtaren Kylie Minogue gjatë një interviste në një podkast, deklarata që u kritikuan si të papërshtatshme dhe si shenjë mungese respekti ndaj grave.
Të lidhura
None found
Të hënën, ai publikoi një deklaratë të shkurtër ku theksoi se kërkonte falje “pa mëdyshje” për ato që kishte thënë gjatë intervistës në podkastin Bush Deep, i moderuar nga komediania Nikki Osborne.
Biseda ishte zhvilluar në rezidencën zyrtare të kryeministrit në Canberra dhe ishte publikuar në fund të javës së kaluar. Bush Deep, që drejtohet nga Nikki Osborne, është i njohur për pyetjet provokuese dhe qasjen me humor, të cilën vetë moderatorja e përshkruan si “tejet të papërshtatshëm”.
Gjatë intervistës, Osborne i kërkoi Albanese të zgjidhte mes këngëtares Kylie Minogue, aktores Nicole Kidman dhe artistes Rhonda Burchmore, në kuadër të një loje me pyetje provokuese.
Në fillim, kryeministri tentoi t’i shmangej përgjigjes, duke kujtuar se vetëm pak muaj më parë ishte martuar me bashkëshorten e tij, Jodie Haydon. Por, pas këmbënguljes së moderatores, ai u përgjigj: “Kylie, qartësisht”, dhe më tej shtoi se do t’i zgjidhte “të gjitha më sipër”, ndërsa e përshkroi artisten si “fantastike”.
Menjëherë më pas, komentet e tij nxitën reagime në politikën australiane. Deputetja e pavarur Zali Steggall i konsideroi ato “krejtësisht të papërshtatshme”, duke theksuar se një kryeministër duhet të japë shembull dhe të mos pranojë pyetje me përmbajtje seksiste.
Kritika pati edhe nga ministrja në hije për Komunikimin, Sarah Henderson, e cila i cilësoi deklaratat “mosrespektuese ndaj grave, të turpshme për australianët dhe poshtëruese për institucionin e kryeministrit”.
Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë Richard Marles mbrojti përkushtimin e qeverisë ndaj barazisë gjinore, duke vënë në dukje se kabineti aktual është i pari në historinë e Australisë që ka përfaqësim të barabartë të grave dhe burrave.
