Duke folur në Tokio para Komitetit Ndërkombëtar Olimpik më 21 korrik, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se bota ka nevojë për Olimpiadë “si festë për shpresë”.
“Lojërat Olimpike kanë fuqi për të bashkuar botën, për ta inspiruar dhe për të treguar se çfarë është e mundshme”, ka thënë ai.
Lojërat Olimpike do të nisin më 23 korrik, teksa rriten shqetësimet për siguri, meqë mijëra atletë dhe staf mbështetës janë duke shkuar në Japoni, ndërkohë që varianti Delta i koronavirusit përhapet shpejt në botë.
Tedros ka folur teksa organizatorët kanë raportuar për tetë infektime të reja në mesin e pjesëmarrësve në Lojëra, duke e çuar numrin total të infektimeve në 79.
Shefi i OBSH-së ka thënë se Lojërat Olimpike nuk duhet të gjykohen nga numri i rasteve me koronavirus, meqë eliminimi i rrezikut është i pamundshëm.
“Shenjë sukesi është të siguruarit që çdo rast do të identifikohet, izolohet dhe gjurmohet, në mënyrë që të ndalet zinxhiri i përhapjes”, ka thënë ai.
Ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar se Lojërat Olimpike mund të kthehen në ngjarje “super-përhapëse”, marrë parasysh dhjetëra njerëzit e përfshirë, shkruan REL.
Lojërat Olimpike, që janë shtyrë nga viti i kaluar për shkak të pandemisë, do të mbahen këtë vit pa spektatorë, për shkaqe sigurie.