Taulant Balla, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ka reaguar për arkivolin që disa protestues sollën në ditën e 35-të të protestës në Tiranë.
Përmes një reagimi të publikuar në rrjetet sociale, ku ka shpërndarë edhe pamje nga protesta, Balla pretendon se personat që e çuan arkivolin në bulevard janë mbështetës të Partisë Demokratike në Durrës, si edhe të një fraksioni brenda kësaj force politike.
Të lidhura
None found
Në deklaratën e tij, ai kthen vëmendjen 28 vite pas, duke thënë se një akt të tillë Sali Berisha e kishte kryer edhe më parë, kur kishte sjellë pranë Kryeministrisë arkivolin e të ndjerit Azem Hajdari.
Sipas Ballës, përqeshja me qefinin bie ndesh si me zakonet shqiptare, ashtu edhe me traditat fetare, qofshin ato islame apo të krishtera. Ai shton gjithashtu se do t’i përgjigjej Sali Berishës, por, sipas tij, kjo nuk i lejohet nga zakonet shqiptare dhe ato fetare.
“Personat që sollën në bulevard një arkivol qenkan mbështetës të Partisë Demokratike Durrës (edhe të një fraksioni brenda saj). Sali Berisha e ka bërë këtë akt të turpshëm 28 vite më parë me arkivolin e të ndjerit Azem Hajdari. Tallja me qefinin, në kuptimin e përqeshjes së një simboli të lidhur me vdekjen dhe varrimin, nuk përputhet me zakonet shqiptare, si dhe ato fetare, qoftë islame, qoftë kristiane. Ty, Sali, do të ta jepja një përgjigje, por zakonet shqiptare dhe fetare nuk ma lejojnë”, shkruan Balla.
