Ndryshimet në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut nuk pritet të përfshijnë vetëm ministrat, por edhe zëvendësministrat, drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e institucioneve shtetërore, bëjnë të ditur burime qeveritare për INA.
Kryeministri Hristijan Mickoski ka sinjalizuar se procesi i rikonstruimit nuk do të mbetet i kufizuar te kabineti qeveritar, por do të shtrihet edhe në nivelet drejtuese të institucioneve shtetërore.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave, në disa ministri do të caktohen zëvendësministra të rinj për shkak të lëvizjeve të ministrive mes partnerëve të koalicionit. Në dikastere të tjera, nga ana tjetër, priten zëvendësime të zëvendësministrave që janë aktualisht në detyrë, pas një vlerësimi të performancës së tyre.
Në të njëjtën kohë, po shqyrtohet edhe një numër i konsiderueshëm drejtorësh dhe zëvendësdrejtorësh në institucionet publike, të cilët po vlerësohen mbi bazën e rezultateve në punë. Qëllimi i këtyre lëvizjeve është shtimi i efikasitetit dhe vendosja e kuadrove me performancë më të lartë.
Edhe nga VLEN nuk mohohen lëvizje të mundshme në nivelin e zëvendësministrave dhe drejtorive, duke mbajtur të hapur mundësinë e një rifreskimi të kuadrove në administratë.
Ndërkaq, pas VMRO-DPMNE-së, edhe VLEN ka bërë publikë emrat e rinj për përbërjen qeveritare. Koalicioni ka propozuar Jeton Shasivari për ministër të Drejtësisë, Agon Ferati për ministër për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive dhe Sedat Sulejmani për ministër të Kulturës dhe Turizmit.
Bekim Sali, Besar Durmishi dhe Muhamet Hoxha do të vijojnë detyrat që mbajnë aktualisht.
Në të njëjtën kohë, priten lëvizje edhe në disa resore kyçe të propozuara nga VMRO-DPMNE, ndërsa pas rikonstruimit pritet të pasojë një valë emërimesh dhe shkarkimesh në institucione shtetërore në nivele të ndryshme./INA/
