Donald Trump kreu sot udhëtimin e tij të parë me Air Force One-in e ri presidencial, një Boeing luksoz i dhuruar nga Katari, i cili ka nxitur reagime të forta për aspektet ligjore, etike dhe të sigurisë kombëtare.
Përpara nisjes drejt Dakotës së Veriut, ku mori pjesë në aktivitetet për 250-vjetorin e Amerikës, Trump foli me entuziazëm për avionin e ri dhe e paraqiti atë si një mjet fluturues të pazakontë.
Të lidhura
None found
Ai deklaroi se ishte i emocionuar për fluturimin e parë, se nuk ka ekzistuar kurrë më parë një avion si ky dhe se SHBA nuk do të mund të ndërtonte një të tillë, pasi, sipas tij, do të mungonin fondet, ndërsa Katarianët kanë shpenzuar një sasi të madhe parash.
Muajin e kaluar, Air Force One i ri u prezantua zyrtarisht në Bazën Ajrore Andrews, ndërsa Trump e përshkroi atë si “aeroplanin më luksoz në botë”.
Brendësia e tij përfshin sedilje lëkure që kthehen në shtretër, rripa sigurie me vulën presidenciale, mbulesa muri dhe dyshemeje në ngjyrë bezhë, si edhe ndriçim të artë.
Vlera e avionit llogaritet në 400 milionë dollarë. Ai iu dhurua Pentagonit të SHBA-së dhe do të jetë në përdorim nga Trump deri sa Boeing të përfundojë ndërtimin e avionit të ri presidencial, proces që pritet të zgjasë edhe rreth dy vite.
Avioni i ri mban një skemë ngjyrash të bardhë, të kuqe dhe blu të errët, duke sjellë ndër mend avionin personal që presidenti i SHBA-së ka përdorur prej vitesh. Trump tha se mjeti është përgatitur siç duhet për një president dhe është pajisur me të gjitha sistemet dhe specifikimet e nevojshme të sigurisë për transportin e kreut të shtetit amerikan, duke e cilësuar atë vërtet mbresëlënës.
Ky avion do të zëvendësojë përkohësisht Boeing 747-200 të modifikuar, i cili shërben si Air Force One që nga viti 1990. Ndërkohë, dy Boeing 747-800 janë në proces konvertimi për t’u kthyer në avionin e ri të përhershëm presidencial, VC-25B, me dorëzimin e tyre që pritet pas rreth dy vitesh.
