Brenda dy ditëve në vijim, Gjykata Supreme pritet të marrë vendim për dy ankesat e dorëzuara nga kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Ky vendim shihet si hap përcaktues për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit dhe për hapjen e rrugës drejt formimit të institucioneve të reja, raporton KosovaPress.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i publikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit më 27 qershor.
Të lidhura
None found
Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion parazgjedhor me Guxo dhe Alternativa, doli subjekti i parë me 47.13%, duke siguruar 53 ulëse. Partia Demokratike e Kosovës mori 19.44% dhe 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 16.69% dhe 18 ulëse, ndërsa Aleanca 6.74% dhe shtatë ulëse.
Gjykata Supreme nuk ka konfirmuar për KosovaPress nëse vendimi do të merret para përfundimit të afatit ligjor. Megjithatë, njohës të proceseve zgjedhore thonë se, në rast se nuk kërkohet rinumërim apo ndonjë veprim shtesë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), rezultatet mund të certifikohen deri në fund të kësaj jave.
Hulumtuesi i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Qemajl Marmullakaj, vlerëson se Gjykata Supreme nuk ka detyrim ta shfrytëzojë të gjithë periudhën ligjore për të vendosur.
“Certifikimi i rezultateve duhet të ndodhë brenda afateve të parapara ligjore. Nëse Gjykata Supreme nxjerr vendimin ku nuk kërkon veprime shtesë nga ana e KQZ-së apo PZAP-së, atëherë certifikimi i zgjedhjeve mund të ndodhë brenda kësaj periudhe kohore, deri në fund të javës. Jo domosdoshmërisht Gjykata Supreme mund të presë deri në afatin e paraparë ligjor dhe kjo mund të shpie deri te një certifikim edhe më i hershëm i zgjedhjeve”, deklaron ai.
Marmullakaj thekson se pas certifikimit nuk ka pengesë ligjore që seanca konstituive e Kuvendit të thirret menjëherë, ndonëse Kushtetuta parasheh afat maksimal prej 30 ditësh.
Sipas tij, krahas konstituimit të legjislaturës së njëmbëdhjetë, nuk ekziston dispozitë që përcakton se deputetët duhet ta zgjedhin presidentin para se të formohet qeveria.
“Afatet janë orientuese dhe jo detyrimisht duhet të presim 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve për konstituimin e Kuvendit. Kjo duhet të ndodhë menjëherë pas certifikimit të zgjedhjeve, menjëherë u.d. e presidentes mund të marrë veprime dhe të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit. Pastaj janë procedurat në bazë të Rregullores së Kuvendit, ku pesë ditë para mbajtjes së seancës konstituive kryetarja e Kuvendit të legjislaturës paraprake duhet t’i mbledhë përfaqësuesit e partive parlamentare që të përcaktojnë agjendën e seancës konstituive të Kuvendit. Sipas nenit 8 të Rregullores së Kuvendit, ky proces është procedural dhe nuk mund të tjetërsohet nga ana e kryetarit të Kuvendit të kaluar. Seanca konstituive në rend të ditës e ka formimin e komisionit të përhershëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, betimin e deputetëve, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Kjo duhet të ndodhë brenda tridhjetë ditëve afat kohor sipas legjislacionit në fuqi”, shton hulumtuesi i IKD-së.
Edhe kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është në pritje të certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.
Të mërkurën, Kurti deklaroi se bisedimet politike për krijimin e institucioneve do të fillojnë pasi të certifikohen rezultatet.
“Së pari duhet ta presim certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve dhe trajtimin e ankesave, e pastaj pa humbur kohë do t’i kemi komunikimet dhe diskutimet e nevojshme”, deklaroi Kurti.
Por, sipas Marmullakajt, Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, do të duhej t’i kishte nisur tashmë konsultimet për formimin e institucioneve të reja.
“Do të duhej të ndodhnin deri më tani dhe duhet të ndodhin edhe gjatë kësaj jave deri në certifikimin final të zgjedhjeve. Po shpresoj se këto kanë ndodhur prapa dyerve të mbyllura apo do të ndodhin gjatë kësaj jave”, potencon ai.
Vendimi që pritet nga Gjykata Supreme konsiderohet hapi i fundit juridik përpara certifikimit të rezultateve zgjedhore.
Përveç konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë, deputetët e legjislaturës së njëmbëdhjetë duhet të zgjedhin edhe presidentin e ri. Për këtë proces ekziston një afat prej 60 ditësh nga momenti i konstituimit të Kuvendit.
Zgjedhjet e 7 qershorit u mbajtën pikërisht pas dështimit të partive parlamentare për të zgjedhur presidentin e vendit, pas përfundimit të mandatit të ish-presidentes Vjosa Osmani.
