Enzo Maresca ka folur për herë të parë pas ndarjes me Chelsean dhe marrjes së drejtimit të Manchester Cityt, duke theksuar se largimi i tij në mesin e sezonit erdhi si një zgjedhje tërësisht personale.
Trajneri italian, përmes një mesazhi në rrjetet sociale, bëri të ditur se në fund të dhjetorit 2025 vendosi të japë dorëheqjen nga Chelsea, hap që më pas i mundësoi rikthimin te Manchester City.
Të lidhura
None found
“Në fund të dhjetorit 2025 mora vendimin e vështirë për t’u larguar nga Chelsea. Ishte vetëm vendimi im. Dorëheqja ime hapi rrugën që t’i bashkohesha Manchester Cityt, një klub që e njoh shumë mirë. Jam jashtëzakonisht i lumtur që tani jam pjesë e Manchester Cityt”, shkroi ai.
Maresca pranoi gjithashtu se largimi i tij në një fazë të ndjeshme të sezonit solli vështirësi për Chelsean, ndaj u kërkoi ndjesë tifozëve dhe klubit.
“E pranoj se largimi im nga Chelsea në mes të sezonit shkaktoi vështirësi për klubin dhe kërkoj falje për këtë. Nuk ishte as qëllimi dhe as dëshira ime.”
Tekniku italian shprehu mirënjohje për mënyrën se si ishte trajtuar në Stamford Bridge dhe vlerësoi periudhën e kaluar me klubin londinez.
“U trajtova shumë mirë nga të gjithë te Chelsea. Së bashku arritëm suksese të mëdha dhe krijuam kujtime që do t’i ruaj gjithmonë me shumë krenari”, përfundoi Maresca.
Tashmë, ai e ka nisur zyrtarisht punën si trajner i Manchester Cityt, duke u rikthyer te klubi ku më herët kishte qenë pjesë e stafit teknik të Pep Guardiolës.
