I pandehuri A.S., i dyshuar për një vrasje me thikë dhe plagosjen e vëllait të viktimës në Lagjen e Romëve në Mitrovicë, do të mbetet në paraburgim edhe për dy muaj të tjerë, pas vendimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
Për KosovaPress, zëdhënësja e kësaj gjykate, Hateme Haxhaj, ka bërë të ditur se Prokuroria Themelore në Mitrovicë e ka paraqitur më 18 qershor 2026 kërkesën për vazhdimin e kësaj mase.
Të lidhura
None found
Sipas saj, gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, me aktvendimin e 25.06.2026, ka vendosur që A.S. t’i vazhdohet paraburgimi deri më 25.08.2026.
Haxhaj ka njoftuar gjithashtu se hetimet për këtë çështje nuk kanë përfunduar ende. Ajo ka sqaruar se, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake dhe pas kërkesës së mbrojtëses së të akuzuarit, është urdhëruar ekzaminimi psikiatrik i të pandehurit.
Sipas informacioneve që ka gjykata, A.S. është dërguar në ambientet e Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës për realizimin dhe përfundimin e këtij ekzaminimi.
Rasti kishte ndodhur më 27 maj 2026 në Lagjen e Romëve në Mitrovicë, kur një person u privua nga jeta, ndërsa vëllai i tij mbeti i plagosur si pasojë e një sulmi me thikë.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë kishte bërë të ditur se viktima kishte marrë plagë në pjesën e fytit nga një armë e ftohtë – thikë. Menjëherë pas ngjarjes, i dyshuari ishte arrestuar dhe, me vendim të prokurorit kujdestar të Departamentit për Krime të Rënda, ishte dërguar në mbajtje.
