Buleshkaj: Vendimet dhe veprimet konkrete janë themeli i besimit publik

Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), Yll Buleshkaj, ishte pjesë e konferencës ndërkombëtare KosovaPAR 2026, ku mori fjalën në panelin me temë “Integriteti, lufta kundër korrupsionit, mbikëqyrja dhe besimi publik në administratën publike”.

Gjatë fjalës së tij, Buleshkaj deklaroi se qytetarët nuk e ndërtojnë besimin ndaj institucioneve mbi bazën e premtimeve, por duke parë vendimet dhe veprimet konkrete të tyre.

Të lidhura

None found

“Besimi i publikut nuk ndërtohet duke u kërkuar qytetarëve që t’u besojnë institucioneve. Ai ndërtohet kur institucionet dëshmojnë, përmes vendimeve dhe sjelljes së tyre, se e meritojnë këtë besim.” – Yll Buleshkaj

Ai nënvizoi se deklarimi dhe kontrolli i pasurisë, parandalimi i konfliktit të interesit dhe garantimi i mbrojtjes efektive për sinjalizuesit janë mjete të rëndësishme për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies. Sipas tij, këto mekanizma nuk duhet të mbeten vetëm në nivelin e përmbushjes formale të detyrimeve ligjore, por duhet të prodhojnë rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe në përmirësimin e mënyrës së funksionimit të institucioneve.

Buleshkaj kërkoi gjithashtu krijimin e një klime institucionale ku shqetësimet të mund të raportohen pa frikë dhe të trajtohen me përgjegjësi. Në këtë kuadër, ai veçoi udhëheqjen e përgjegjshme, mbikëqyrjen e efektshme dhe zbatimin e paanshëm të ligjit.

Konferenca KosovaPAR 2026 u organizua nga Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe u zhvillua më 28 dhe 29 tetor në Prishtinë. Tema e saj ishte “Vlera publike dhe e mira e përbashkët: njerëzit, besimi dhe digjitalizimi”.


Shtuar më 29.10.2026 20:45