Erion Veliaj reagoi për zhvendosjen nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, duke kritikuar mungesën e transparencës lidhur me vendimin e autoriteteve.
Në një postim në Facebook, ai tha se u deshën 31 orë që t’i bëhej e ditur se vendimi për transferimin ishte klasifikuar si sekret.
Të lidhura
None found
Veliaj argumenton se, pa iu dhënë akti administrativ, i pamundësohet ta shqyrtojë, ta kundërshtojë dhe ta apelojë vendimin në mënyrë efektive.
Ai e përshkroi situatën si një kalim nga, sipas tij, arbitrariteti në marrjen e vendimit te mbulimi i tij me klasifikimin “sekret shtetëror”.
Veliaj u kërkoi autoriteteve t’i paraqesin autorizimin e kryeministrit, përmes të cilit, sipas tij, përcaktohet se kush ka të drejtë ta klasifikojë informacionin si sekret.
“Na vini në dispozicion autorizimin e Kryeministrit të vendit që ju autorizon si autoritet klasifikues”, përfundoi reagimin Erion Veliaj.
Transferimi i tij në burgun e Fierit ka sjellë reagime nga mbrojtja ligjore dhe figura publike. Diskutimet mbi arsyet e vendimit dhe transparencën institucionale vazhdojnë.







