Sipas legjendës braziliane Ronaldo Nazario, Neymar vazhdon të jetë futbollisti më vendimtar i kombëtares së Brazilit dhe ka shansin ideal për t’u përgjigjur kritikëve duke drejtuar Seleçaon në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës.
Të lidhura
None found
Ish-sulmuesi brazilian e dha këtë vlerësim në prag të ndeshjes që ekipi i Carlo Ancelottit do të luajë të hënën ndaj Japonisë, në 1/16 e finales.
Pothuajse tre vjet pasi pësoi këputjen e ligamentit ACL gjatë një angazhimi me përfaqësuesen, Neymar u përfshi disi papritur në listën e Brazilit për këtë Botëror.
Gjithsesi, 34-vjeçari, që me 79 gola mban vendin e parë si golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares braziliane, hasi probleme muskulore para startit të turneut dhe për këtë arsye mungoi në dy sfidat e para të skuadrës.
Në suksesin 3-0 ndaj Skocisë, ai u hodh në fushë nga stoli për 14 minutat e fundit, duke u bërë vetëm lojtari i katërt në histori që përfaqëson Brazilin në katër Kupa Bote të ndryshme, pas Djalma Santos, Cafu dhe Pele.
Në këtë edicion, Vinicius Junior ka marrë rolin kryesor te Brazili, pasi ka realizuar katër gola dhe është futur në garë për Këpucën e Artë, por Ronaldo është i bindur se Neymar ka ende shumë për të ofruar.
“Neymar është vendimtar. Nuk shoh asnjë lojtar tjetër në skuadrën aktuale me të njëjtën aftësi për të fituar një ndeshje i vetëm”.
“Nëse mund të llogarisim në të, nuk duhet ta humbasim këtë mundësi. Ai është autorizuar nga mjekët, është fizikisht në formë dhe tani ka rastin t’u mbyllë gojën të gjithë atyre që nuk besuan tek ai”.
“Edhe unë e kam përjetuar rikthimin tim në vitin 2002, ndaj e mbështes plotësisht Neymarin. Jam i emocionuar dhe bëj tifo për të”.
“Ai nuk ka më nevojë të provojë talentin e tij në moshën 34-vjeçare, por shpresoj që paraqitjet e tij t’u mbyllin gojën të gjithë atyre që e kanë nënvlerësuar, sepse nuk ka asgjë më të bukur sesa të shohësh një sportist të madh të rikthehet në mënyrë triumfuese”, deklaroi ai.

