Marrëdhëniet mes biznesmenit Ron Yeffet, Edi Ramës dhe qeverisë shqiptare janë bërë objekt raportimesh të shumta në mediat shqiptare, ku nuk kanë munguar edhe kritikat ndaj tyre. Arben Ahmetaj, që mbajti postin e zëvendëskryeministrit të Shqipërisë deri në vitin 2022, tha në një intervistë në janar të vitit 2026 se ajo që ai e quajti “Projekti Kayo” ishte “një projekt korruptiv që përfshin transferimin e aseteve shtetërore shqiptare në duar private”.
Po ashtu, Ahmetaj deklaroi se Yeffet kishte qenë i përfshirë në marrëdhënie biznesi me Air Albania dhe se kishte kërkuar të blinte borxhin kombëtar të Shqipërisë. Në prill të këtij viti, Belind Këlliçi, i Partisë Demokratike të Shqipërisë, forca kryesore e opozitës në vend, shkoi edhe më tej, duke thënë se fakti që kompania e Ron Yeffet, R&I Trading, përballet me akuza për mashtrim në një proces civil gjyqësor që vijon ende, “kërcënon pozicionin e Shqipërisë brenda NATO-s dhe sigurinë e të gjithë Aleancës së Atlantikut të Veriut”.
Të lidhura
None found
Kjo deklaratë lidhej me një padi të paraqitur në një gjykatë në Florida nga biznesmeni amerikan Mark Faist. Sipas pretendimeve të tij, Yeffet e kishte përdorur afërsinë me Ramën – madje duke i premtuar edhe një takim me kryeministrin – për ta mashtruar në lidhje me mundësitë e investimit që ofroheshin nga R&I.
Deri tani, akuzat ndaj Yeffet nuk kanë prodhuar ndonjë hetim zyrtar. Gjithashtu, mbetet e diskutueshme nëse një çështje civile në Florida, që përfshin vetëm disa milionë dollarë, mund të konsiderohet rrezik për sigurinë e Shqipërisë, e aq më pak për NATO-n. Megjithatë, afrimiteti mes interesave të biznesit dhe pushtetit politik, i krijuar mes Yeffet dhe Ramës, mund të ndërthuret me protestat publike kundër projektit të Kushner dhe, në fund, të vërë në rrezik qëndrimin e Ramës në pushtet.
Vetë Yeffet, në një bisedë me gazetën, u shpreh: “Nuk kam absolutisht asnjë lidhje me Air Albania. Figurave të opozitës në Shqipëri po më përdorin mua dhe biznesmenë të tjerë si mjete për të sulmuar dhe dëmtuar kryeministrin e tyre.”
Edhe Zyra e Qeverisë Shqiptare reagoi, duke deklaruar: “Ka aq shumë pretendime absurde në diskursin publik në Shqipëri, sa t’u përgjigjesh secilit prej tyre jo vetëm që është e pamundur, por do të ishte vetë absurde. Kayo është një kompani shtetërore e krijuar sipas standardeve ndërkombëtare me qëllim bashkëpunimin me sektorin privat në interes publik. Akuzat ndaj saj tregojnë se sa lehtësisht përdoret sot fjala ‘korrupsion’. Ky term hidhet në qarkullim po aq lehtësisht sa t’i pyesësh dikë se çfarë ka ngrënë për drekë, ndërkohë që duhet të përdoret vetëm kur ekzistojnë fakte serioze dhe të besueshme që mbështesin një akuzë të tillë. Në rastin e Kayo-s, këto akuza janë plotësisht të pabazuara.”
Ron Yeffet përshkruhet si një figurë me lidhje të ngushta me kryeministrin shqiptar. Ai është shpesh mik i Ramës në pronën e tij të madhe në Shqipëri, ndërsa në vend ka interesa në pasuri të paluajtshme, infrastrukturë dhe mbrojtje. Një nga elementët më të rëndësishëm të kësaj marrëdhënieje është fakti se një kompani në pronësi të Yeffet është partnere me kompaninë shtetërore shqiptare të mbrojtjes Kayo.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Yeffet dhe Kayo kanë ngritur një fabrikë prodhimi në Shqipëri, ku prodhohen automjete të blinduara, mjete zjarrfikëse, ambulanca dhe kamionë për mbledhjen e mbeturinave. Kjo sipërmarrje e përbashkët ua shet produktet e saj ministrive të qeverisë shqiptare, por edhe vendeve afrikane dhe shteteve të tjera anëtare të NATO-s.
Lidhjet izraelite të Kayo-s nuk kufizohen vetëm te Yeffet. Në nëntorin e kaluar, Haaretz raportoi se Elbit Systems do të furnizonte Shqipërinë me sisteme të avancuara artilerie dhe dronë në bashkëpunim me Kayo-n, e cila do të ndërtojë një fabrikë për prodhimin e këtyre sistemeve. Ndërsa në prill të vitit 2025, media të huaja njoftuan se Elbit do të hapte një shkollë fluturimi në Shqipëri.
Yeffet nuk është i vetmi person nga bota e biznesit në Izrael që ka marrëdhënie me Ramën. Një tjetër emër i afërt me të është biznesmeni Sani Sanilevich, i cili mban detyrën e Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Izrael dhe është aktiv edhe në Shqipëri, ku po punon për ndërtimin e një spitali.
Gjatë udhëtimit të tij të fundit në Izrael, pesë muaj më parë, Rama ishte i ftuar i Sanilevich. Për të mbërritur atje, ai udhëtoi me një avion të marrë me qira, pagesa e të cilit u bë nga partneri i biznesit të Sanilevich, biznesmeni Tzachi Nachmias.
Një hetim i publikuar nga Reporter.al zbuloi se ky fluturim drejt Izraelit nuk ishte mbuluar nga qeveria shqiptare. Rama kishte deklaruar se vizita e tij përfshinte “elemente që lidhen me sigurinë”, por pavarësisht kësaj, ende nuk dihet se kush e pagoi në fund fluturimin.
